Bashkëpunimi ekonomik Shqipëri-Greqi, presidenti Begaj: Kemi një rritje të eksporteve reciproke

nga L. M

Presidenti Bajram Begaj këtë të premte mori pjesë në takimin e shoqatës së biznesit grek në Shqipëri me rastin e “Ditës së Vasilopitës”. Në këtë takim me sipërmarrësit grekë në Tiranë, Begaj u shpreh për një dinamikë të re të bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Greqisë përmes nxitjes së projekteve të përbashkëta. ”Unë mendoj se ka mundësi për më shumë dhe ka ende hapësira të mëdha për të rritur investimet e ndërsjella”,-theksoi ai ndërsa garantoi se ”Shqipëria ofron një terren solid për çdo investitor”.

Presidenti renditi lehtësitë që ofron Shqipëria me theks në ekonominë dinamike, monedhën e qëndrueshme, sektorë të shëndetshëm bankar dhe borxh publik që po menaxhohet me kujdes. Kreu i Shtetit vlerësoi rolin e kompanive elitare që operojnë në sektorët më strategjikë të vendit tonë, teksa nënvizoi se prania e investitorëve grekë në fusha, si: sistemi bankar, energjia, industria, ndërtimi dhe tregtia, përbën një shtyllë të rëndësishme për qëndrueshmërinë tonë ekonomike dhe dëshmon për besimin e ndërsjellë të ndërtuar ndër vite.

”Mbështetja e Greqisë mike në procesin tonë të integrimit është dëshmi e një miqësie të sinqertë, e cila po përkthehet në një bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë ekonomik. Në fushën e tregtisë, zhvillimet janë inkurajuese. Greqia vijon të mbetet një nga partnerët tanë kryesorë, duke u renditur në radhët e para të shkëmbimeve të mallrave dhe shërbimeve. Kemi një rritje të vazhdueshme të eksporteve reciproke, çka tregon se tregjet tona po bëhen gjithnjë e më plotësuese për njëri-tjetrin”, shtoi ai.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More