Shkup, 18 nëntor – Në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Bashkimi Demokratik për Integrim gjendet sot në një udhëkryq kritik. Pas gati dy dekadash rol dominues, partia është përballur me një rënie të dukshme të mbështetjes një proces që shumë simpatizantë dhe analistë e lidhin ngushtë me hyrjen në koalicione të panatyrshme dhe politikisht jo korrekte. Aleanca e fundit, e njohur gjerësisht si koalicioni AKI, nuk arriti të funksionojë si bashkim i vlerave apo programeve politike përkundrazi, u shndërrua në një barrë që ia zbehu identitetin, ia uli kohezionin dhe ia dëmtuan fuqinë mobilizuese. Prandaj, nëse BDI synon rikthimin në skenën politike e ka të patjetërsueshme çlirimin nga Aleanca e Selës dhe Taravarit në mënyrë që të frymojë lirshëm dhe të kthehet në gjenezë, shkruan Zhurnal.
Një koalicion i panatyrshëm natyrisht që është edhe jo funksional –
Që në formim, koalicioni mes BDI-së, Ziadin Selës dhe Arben Taravarit dukej artificial. Dy nga figurat kryesore të Aleancës për Shqiptarët Sela dhe Taravari jo vetëm që kishin qëndrime të ndryshme për çështje thelbësore, por edhe komunikimi mes tyre ishte i ngrirë. Ata nuk shfaqeshin bashkë në tubime, nuk shtrëngonin duart, nuk përcillnin mesazh koherence politike, dhe si rezultat natyrshëm nuk arrinin të transmetonin energji pozitive te baza.
Kjo mungesë uniteti u reflektua edhe në rezultate as Sela, as Taravari nuk arritën të siguronin fitore në komunat ku garuan me kandidatët e tyre, duke dëshmuar se bashkimi i tyre nuk ishte produkt i vullnetit qytetar, por i një kalkulimi politik pa rrënjë dhe pa fuqi reale në terren.
BDI-ja, duke hyrë në aleancë me një strukturë të çarë, joefektive dhe me krizë të brendshme lidershipi, doli e goditur në shumë aspekte. Humbi identitetin si forcë politike autonome. Elektorati filloi të shihte një BDI të kapur peng nga aleatët që as nuk sjellnin vota, as nuk sillnin stabilitet. Me partnerë që shpesh sfidonin linjat politike të BDI-së, partia pësoi tensione të brendshme dhe ndikim të jashtëm në vendimmarrje.
Këto zhvillime kanë ndikuar që të zhgënjehen simpatizantët tradicionalë. Një pjesë e rëndësishme e votuesve të BDI-së e ngriti hapur shqetësimin se aleancat e panevojshme vetëm e dëmtonin partinë, duke shtuar idenë se BDI-ja po humb “pastërtinë” e saj konceptuale.
U thellua rënia elektorale. Në vend që koalicioni të shtonte mbështetje, ai kontribuoi në humbje edhe më të rëndë, duke rrezikuar që nëse vazhdon kështu gjysma e elektoratit mund të largohet përfundimisht.
Për rikthim të BDI-së duhet çlirim nga Aleancat –
Në këtë kontekst, bëhet gjithnjë e më e qartë se nëse BDI dëshiron të rikthehet fuqishëm në skenën politike, duhet të heqë dorë nga aleancat që nuk e ndihmojnë që nuk i shtojnë vlera dhe që nuk prodhojnë rezultat.
BDI-së nuk i nevojiten partnerë si ASH-Sela, ASH-Taravari apo strukturat e tjera që përçarjen brenda shtëpisë së tyre e transferuan brenda koalicionit. Nëse ka një mësim të qartë nga përvoja e fundit, ai është që BDI-ja nuk humbi nga kundërshtarët politikë, por nga aleatët që ia gërryen themelet nga brenda.
Një rikthim i fuqishëm është i mundur madje i mundshëm vetëm nëse partia çlirohet nga partnerët që e konsumuan, i kthyen shpinën në momentet kyçe dhe nuk sollën asnjë vlerë elektorale. Simpatizantët e BDI-së kërkojnë një BDI të pastër, të unifikuar, të qëndrueshme dhe të gatshme të rikthehet si faktor kryesor në politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Dhe ky rikthim fillon pikërisht me një vendim të guximshëm largimin nga aleancat e gabuara dhe rikthimin te vetvetja. /Zhurnal.mk
