BDI-ja në epokën e “Open Balkan”, tani me lot krokodili për ndikimin e “Bota serbe”!

nga Redaksia

Shkup, 12 shtator – Nga koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim vazhdojnë të akuzojnë se kjo qeveri aktuale është e orientuar drejt lindjes dhe jo drejt perëndimit dhe aleatëve tonë strategjik. Me sloganin e vjetërsuar të zgjedhjeve parlamentare “Jo Rusisë, po Evropës” nga AKI kanë vazhduar të akuzojnë se në Maqedoninë e Veriut po instalohet “bota serbe”, shkruan Zhurnal.mk

Megjithatë, nëse merret parasysh se çfarë politike zhvillohej në të kaluarën, e sidomos duke qenë Maqedonia e Veriut, një ndër shtetet kryesore të “Ballkanit të Hapur” tregon se këto akuza janë të paqëndrueshme.

Nisma e cila fillimisht u quajt Mini-Shengen, nisi më 10 tetor 2019, në Novi Sad të Serbisë, dhe u firmos nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Më 29 korrik 2021, ajo u pagëzua me emrin Ballkani i Hapur. Nisma u kundërshtua nga opozita në Shqipëri, dhe u refuzua nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina.

Nisma ishte një nivel paralel me atë të Procesit të Berlinit, ku vendet e rajonit synonin integrimin ekonomik dhe social, duke u përgatitur për integrim evropian.

“Ballkani i hapur” shihej si derë e hapur për ndikimet nga Lindja sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal. Por, thënë ndryshe kjo nismë synoi vetëm sigurimin e udhëheqjes së Serbisë në Ballkan.

Në themelimin e saj, në Novi Sad, Vuçiq referoi frazën ‘Ballkani i ballkanasve’. Kjo ishte strategji e Serbisë për ta kthyer këtë rajon në një hapësirë të mbyllur mes Lindjes dhe Perëndimit, kjo nuk ishte frazë e re. Ambasadorë rusë, shekuj më parë e kanë përdorur këtë fjalë kur kanë ndarë Ballkanin dhe kur kanë copëtuar tokat e shqiptarëve.

Nisma ka synuar sigurimin e udhëheqjes së Serbisë në Ballkan, por ka qenë edhe një lloj mburoje për ta parë Ballkanin si një bunker, sepse një Ballkan pa praninë e Perëndimit është krejtësisht i kontrolluar nga rusët dhe nga Lindja.

Pra, Ballkani i Hapur ishte një përpjekje e mirë-menduar për të rikthyer rolin hegjemon të Serbisë, udhëheqjen e saj në aspektin politik, ekonomik e ushtarak. Nisma arriti një nivel të lartë, kur arriti të futej në Marrëveshjen e Uashingtonit, në formatin e Mini-Shengenit në atë kohë, dhe Kosova u detyrua ta pranonte prej ofensivës serbe. Kështu, Serbia, nga vend që shkaktoi katër lufta gjenocidale në Ballkan, projektohej si vend që frymëzonte paqe dhe bashkëpunim në hapësirën ballkanike.

Kryeministri Edi Rama, duke parë gabimin që kishte bërë, pa asnjë paralajmërim, njoftoi se Shqipëria më nuk është pjesë e kësaj nisme, por këtë nuk e bëri qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Edhe pse ky ishte një lajm i mirë, por megjithatë ishte lajm i vonuar, sepse ky “Ballkani i Hapur” prodhoi vetëm një ndarje të thellë në qasjen e politikës së jashtme brenda shqiptarëve. Kjo shkaktoi gjithashtu një konflikt të madh mes Tiranës dhe Prishtinës, dhe ngjashëm edhe te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

Prandaj të gjitha këto fakte tregojnë se sa e dëmshme ka qenë kjo iniciativë e cila këmbëkryq e futi Rusinë në Ballkan nëpërmjet Serbisë dhe iniciativës “Ballkani i Hapur”.

Politika e jashtme e Maqedonisë së Veriut në asnjë moment nuk është dashur të lejonte që ne të bëhemi pjesë e kësaj iniciative, prandaj ata që sot shtirren se ka ndonjë ndikim të “Botës serbe”, ata derdhin “lot krokodili”, pasi nuk ka më pro Rusisë me “Open Ballkanin” që e mbështette BDI-ja, ndërsa tani shtiren kinse na qenkan brengosur për ndikim Rusë në Maqedoninë e Veriut.//Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More