Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha tha sot se opozita do të paraqesë me dokumente për të faktuar me vendosmërinë më të madhe atë që ai e cilëson si farsën elektorale të 11 majit.
Në një deklaratë për mediet, Berisha i kërkoi Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashin të dorëzojë çdo procesverbal që ka kërkuar opozita në përputhje me ligjin.
Berisha po ashtu komentoi edhe votimin e anëtarit të Komisionit të Ankimimeve dhe Sankioneve Ilirjan Rusmalit, i cili nuk pranoi kërkesën e PD-së për të kryer kryqëzimin e të dhënave nga pajisjet PEI për të gjitha qendrat e votimit të qarkut Kukës.
Sipas Berishës, Rusmali votoi për të mos dhënë procesverbalet e qendrave të votimit.
“Ne jemi këtu për të paraqitur dokumente, për të faktuar me vendosmërinë më të madhe, seriozitetin më të madh, farsën e 11 majit. Dhe me këtë rast paralajmëroj Ilirjan Celibashin të dorëzojë çdo dokument që kërkohet në përputhje me ligjin dhe të hedhë poshtë qëndrimin e turpshëm prej mercenari të Ilir Rusmalit, një figurë e zhveshur nga çdo lloj norme dhe standardi njerëzor, një shërbëtor pa asnjë parim që ka votuar dje, të mos u japin procesverbalet e qendrave të votimit kandidatëve apo PD-së për Kukësin, ku kemi fituar. Dhe kjo nuk është detyrë e tij, është detyrë e Ilirjan Celibashit. Ato i jep ligji”, tha Berisha.
Berisha shtoi “i kërkoj Ilirjan Celibashit që me urgjencë të dorëzojë procesverbalet kur kërkohen në një proces ankimor”.
“Këta kanë frikë nga dokumentet edhe aty ku kemi fituar ne. Dhe ato në Kukës i ka kërkuar një kandidat i mbështetur nga ne, se ne jemi për transparencë, pavarësisht se çfarë mendon Sali Berisha apo PD, do prevalojë e drejta e tij për të kërkuar transparencë”, u shpreh Berisha.