Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një konferencë për shtyp foli sot sërish për akuzën e SPAK ndaj tij për korrupsion në çështjen e privatizimit e klubit sportiv “Partizani”.
Berisha u shpreh se qeverisja e tij nga viti 2005-2013, në përputhje të plotë me programin e Partisë Demokratike, por dhe me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, bëri të mundur me 54 mijë vendime të AKKP, kthimin ose kompensimin e 1.577.400.000 m2 dhe qindra e qindra objekte mbi 510 mijë pronarëve legjitimë të konfiskuar.
“Jamarber Malltezi, pasardhës i pronarëve ndër më të mëdhenjtë të Tiranës, por dhe Shkodrës, ka marrë gjithsej më pak se 7% të pronave qe i takojnë, në rastin e Klubit Partizani ai ka marrë 410m2 tokë ose me pak se 1% të tokës”, tha Berisha.
Berisha nënvizoi se, procesi i privatizimit të Klubit Partizani është një proces ‘lege artis’, i zhvilluar në mënyrën më transparente pa asnjë shkelje ligjore.
“Theksoj edhe njëherë pa asnjë shkelje ligjore, çdo interpretim tjetër është absolutisht fals dhe i pavërtetë. Në hetimin e tyre shterues 4-vjeçar, prokurorët politikë të Edi Ramës nuk citojnë, sepse nuk kanë gjetur asnjë shkelje ligjore në firmosjen e dhjetëra dokumenteve të procesit të njohjes, kthimit të pronës dhe parablerjes së objekteve të ndërtuara mbi pronën e tyre”, u shpreh Berisha.
Berisha theksoi se, asnjë nga këta punonjës, që kanë firmosur këtë proces nga viti 1996 i fillimit të tij gjer në vitin 2009 të përfundimit të tij, nuk është në ndjekje penale sepse ata kane zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin”, u shpreh Berisha.
“Aludimi se një ministër ka firmosur në vitin 2007, në një kohë kur ligji parashikonte koncesionin, është krejtësisht i pabazë. Procesi kishte dy vite që kishte filluar dhe ligji në qoftë se nuk shkruan në rreshtat e tij, nuk ka fuqi prapavepruese”, tha Berisha.
“Nuk kanë gjetur asnjë dokument të firmosur nga Sali Berisha për njohjen, kthimin e pronës pronarëve legjitimë apo parablerjen, në përputhje me ligjin e objekteve të ndërtuara mbi këto prona”, tha kreu i PD.
Berisha u shpreh se, “në hetimin e tyre shterues katërvjeçar nuk ekziston asnjë dëshmi e çfarëdolloj që të faktojë se Sali Berisha ose Jamarbër Malltezi apo lidhje tjetër e tyre, kanë ushtruar presionin më të vogël tek ndonjëri prej dhjetëra e dhjetëra punonjësve te qeverive të majta dhe të djathta, që kanë firmosur dokumentet e njohjes, kthimit te pronës tek pronaret legjitimë dhe parablerjes së objekteve të Klubit Partizani”.
