Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një konferencë për gazetarët, ku foli mbi strategjinë e opozitës dhe situatën politike në vend.
Berisha theksoi se objektivi kryesor i opozitës është largimi i kryeministrit Edi Rama nga pushteti dhe shprehu besim se ky qëllim do të realizohet falë mbështetjes së qytetarëve dhe bashkëpunimit me faktorë të tjerë të shoqërisë shqiptare.
“Strategjia e opozitës është largimi i tij një minutë e më parë nga pushteti. Opozita është e sigurtë që do të realizojë objektivin e saj. Kjo është dhe ka besim të madh tek guximi, ka besim të madh tek trimëria, ndershmëria e qytetarëve shqiptarë. Ka besim të madh se përkrah opozitës shqiptare, së bashku me opozitën shqiptare, do bashkëveprojnë dhe bashkëpunojnë shumë e shumë faktorë të tjerë rëndësishëm në shoqërinë shqiptare, që duan ta përzënë një minutë e më parë, këtë të keqe të madhe, këtë organizatë kriminale që udhëhiqet nga Edi Rama”, u shpreh Berisha.
Ai gjithashtu foli mbi mbështetjen ndërkombëtare në luftën kundër korrupsionit, duke përmendur se shtatë rezoluta ndërkombëtare kanë ndikim të rëndësishëm mbi qeverisjen aktuale dhe ofrojnë mbështetje për opozitën.
“Betejën kundër korrupsionit e mbështet e gjithë bota demokratike”, tha ai, duke shtuar se, rezolutat ndërkombëtare ndikojnë në mënyrë të konsiderueshme në situatën politike dhe ofrojnë mbështetje për opozitën shqiptare
Berisha nënvizoi gjithashtu se largimi i kryeministrit nuk do të ndodhë përmes institucioneve të drejtësisë, por përmes pjesëmarrjes aktive të qytetarëve në protesta paqësore.
“Nuk ka asnjë diskutim që Edi Rama bën gjithçka, dhe jo bën, por do të bllokojë drejtësinë. Do të përdorë 83 mandatet e tij të krimit, kundër drejtësisë. Dhe këtu ndaj themi ne, fjalën e vetme e kanë qytetarët shqiptarë”, u shpreh Berisha.
“Ne kemi theksuar dhe theksojmë, Edi Ramën nuk do ta heqë drejtësia. Edi Ramën nuk do ta heqin ‘Deltat’, atë do ta heqin qytetarët shqiptarë me protestat e tyre. Nuk kemi asnjë lloj dyshimi në këtë qëndrim, në këtë mendim”, përfundoi Berisha.
