Bislimi e njofton Sorensenin se Serbia po i bllokon mjetet e Kosovës për Luginën

nga D. V.

Zëvendëskryeministri në detyrë dhe kryenegociatori i Kosovës për bisedime me Serbinë, Besnik Bislimi thotë se e ka njoftuar përfaqësuesin e BE-së për dialogun, Peter Sørensen se Serbia, po i bllokon mjetet e Kosovës të destinuara për Luginën e Preshevës.

Bislimi në një postim në Facebook, ka thënë se Serbia tre herë radhazi ka bllokuar të hollat e dërguara nga Kosova dhe i ka refuzuar ato pa asnjë bazë ligjore.

“3,650 fëmijë shqiptarë në Luginë janë duke përdorur 35.448 tekste shkollore të financuara nga Qeveria e Kosovës, pas kërkesës zyrtare të Këshillit Kombëtar Shqiptar. Qeveria jonë ka zbatuar plotësisht dhe në kohë të gjitha detyrimet e saj ligjore dhe institucionale. Megjithatë, pagesa përkatëse prej 304.511.16 euro, e destinuar për furnizimin me tekste shkollore, përkrahjen e aktiviteteve ndërkombëtare të avokimit dhe funksionimin institucional të KKSH-së, është bllokuar tre herë radhazi nga banka pranuese në Serbi. Në të tre rastet, transferi është refuzuar. Mjetet po refuzohen pa dhënë asnjë arsye ligjore, teknike apo rregullatore”, ka shkruar Bislimi.

Kryenegociatori Bislimi tutje ka thënë se “E njëjta qasje është vërejtur edhe në anulimin e vendimit të KKSH-së për programin e subvencioneve bujqësore për fermerët shqiptarë, pavarësisht se të gjitha procedurat ligjore dhe verifikimet ishin përfunduar plotësisht”.

Bislimi poashtu ka njoftuar se Institucionet e Kosovës i kanë vënë në dispozicion Bashkimit Evropian të gjitha provat dokumentare: komunikimet SWIFT, kthimet e bankave dhe dokumentacionin e vendimeve qeveritare.

Bashkimi Evropian së fundmi është shprehur se është në pritje të krijimit të kushteve të përshtatshme për ta ftuar një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Një takim i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Peter Sorensen, e ka zhvilluar gjatë këtij muaji me me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku u tha se kanë kërkuar nga Serbia zbatim të plotë të të gjitha marrëveshjeve të dala nga dialogu.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për herë të fundit janë takuar në Bruksel në shtator të vitit 2023, pak ditë para sulmit të grupit të armatosur serb ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Një takim midis tyre u pati aranzhuar të mbahej në qershorin e 2024-tës, porse ai është kushtëzuar nga Kurti me dorëzimin e organizatorit të sulmit në Banjskë, Milan Radoiçiq.

Që atëherë, takimet e udhëheqësve të Kosovës dhe të Serbisë në kuadër të dialogut janë zhvilluar ndaras me zyrtarët e lartë të BE-së. E takime bilaterale dhe trilaterale janë zhvilluar mes kryenegociatorëve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More