Shkup, 15 gusht – Në çastin kur politika bëhet spektakël në qiell Bujar Osmani duket se ka përparësinë e “astronautit” larg, i vendosur në orbitë, i fokusuar te hapësira dhe ëndrrat e thella. Gjatë fushatës, ai udhëtoi në Kosovë për të takuar një familjar, një lloj “kontakt me NASA-n”, sikur të kërkonte mbështetje në mënyrë jo fort lokale. Ndërkaq, në Çair, terreni që ngërthen mijëra histori të çdo dite, Izet Mexhiti ishte kudo në rrugë, tek dyqanet, në darka e dreka, pranë nënave, mësuesve, zejtarëve dhe fëmijëve që ende ëndërrojnë me sytë e hapur, shkruan Zhurnal.
Gara për Çairin nuk është e ashpër sepse po garojnë dy kandidat, Mexhiti në tokën e Çairit e Osmani në hapësirën e qiellit –
Çairi nuk është një hartë në një tavolinë zyrtare, nuk është as një pikë në koordinatat e GPS-it diplomatik. Çairi është gjallëria e pazareve, aroma e bukës së sapodalë nga furra e lagjes, tingulli i topit në lagje mes fëmijëve dhe zhurma e bisedave në kafene. Është një territor ku politika nuk bëhet me “protokoll” dhe shiritë ceremonish por me shtrëngime duarsh, me shikime të drejtpërdrejta dhe me njohje të çdo rruge, çdo dere, çdo familjeje.
Në këtë realitet tokësor e të gjallë, Izet Mexhiti ka zgjedhur të jetë i pranishëm fizikisht, emocionalisht dhe politikisht. Ai nuk është thjesht në Çair ai është brenda tij. Çdo cep e di rrugën e tij, çdo derë e ka parë të trokasë, çdo lagje e ka dëgjuar zërin e tij.
Kujtojmë që, disa herë Izet Mexhiti e ka thënë qartë: “Qeverisja nuk bëhet në zyrë, por në rrugë, sy më sy me njerëzit.” “Çairin nuk e kam njohur. E kam jetuar.”
Kjo nuk është vetëm retorikë është filozofi politike që përkthehet në veprim shkelje terreni, takime të pandërprera, gatishmëri për të dëgjuar halle të mëdha dhe të vogla, që për politikën “kozmike” mund të duken të parëndësishme, por për qytetarët janë jeta e përditshme.
Nga ana tjetër, Bujar Osmani në këtë fushatë i dha vetes një rol “astronauti” një vizitë familjare në Kosovë me lidhje me NASA-n një histori që tingëllon interesante në një kafe diplomatike në Bruksel, por që në rrugët e Çairit është thjesht një tregim i largët. Çairi nuk e ndjen këtë lloj “prezence”, sepse kjo nuk është prani është distancim i dukshëm.
Çairi të pranon kur e shkel me qëllim të mirë, kur shkon për të dëgjuar, për të premtuar pak e për të bërë shumë. Mexhiti e njeh këtë rregull të pashkruar, ai e di që për të fituar Çairin nuk mjafton ta shohësh nga lart si një imazh satelitor duhet të ecësh mbi të, të ulesh në karriget e parqeve të tij, të hysh në dyqanet e lagjes, të pish një kafe me të moshuarit dhe të qeshësh me fëmijët në rrugë.
Kujtojmë që, kudo, gjihthkund, për gjithçka por edhe në Çair, gjithmonë fiton ai që di të ecë këmbë mbi tokë. Njerëzit që e humbin kontaktin me realitetin nuk mund të marrin përkrahjen e atyre që jetojnë në këtë realiteti të hidhur. Prandaj, për çdo komunë tjetër vlen të theksohet që qytetarët kanë nevojë për kryetar që zbresin në tokë. /Zhurnal.mk