Debate në Komisionin e Jashtëm për projektligjin për barazinë gjinore

nga D. V.

Shqyrtimi i projektligjit “Për barazinë gjinore” në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme u shoqërua sot me debate mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla argumentoi rëndësinë e projektligjit për barazinë gjinore dhe riformulimin e disa amendamenteve të tij.

Balla theksoi se dezinformimi është sot armiku më i madh i demokracisë dhe se shumë nga kundërshtimet publike ndaj ligjit janë ndërtuar mbi keqinterpretime dhe fushata të qëllimshme për të deformuar debatin publik.

Ai vuri në dukje se çdo ndryshim i bërë në tekstin e ligjit ka synuar përmirësimin teknik dhe jo ndryshimin e përmbajtjes thelbësore të tij.

Duke iu referuar debateve publike, Balla shtoi se ndryshimet e propozuara janë në linjë me librat e shenjtë dhe se edhe krerët fetarë janë në dakordësi me to, pasi nuk parashikohet ndryshimi i Kodit të Familjes.

Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu u shpreh se ligji “shkatërron bazën e familjes tradicionale”.

Sipas Shehut, “miratimi i këtij ligji do të sillte kaos dhe amulli në vend. Shehu e cilësoi nismën si “një atentat ndaj vlerave njerëzore”, ndërsa kërkoi që, nëse mazhoranca këmbëngul ta miratojë, çështja duhet të dërgohet në referendum.

“Shumica e vendeve evropiane nuk e kanë këtë ligj. Nëse doni ta miratoni, kalojeni me referendum”, tha Tritan Shehu.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More