Shkup, 16 gusht – Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara në Raportin e tij të të Drejtave të Njeriut për vitin 2024 për Maqedoninë e Veriut ka konkluduar se vendi “nuk pati ndryshime të rëndësishme në situatën e të drejtave të njeriut gjatë vitit 2024”. Çështjet e rëndësishme të të drejtave të njeriut përfshinin raporte të besueshme për kufizime serioze të lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias. Në këtë raport thuhet se “qeveria ndërmori hapa të besueshëm për të identifikuar dhe ndëshkuar zyrtarët që kryen shkelje të të drejtave të njeriut”, shkruan “Zhurnal.mk.
Nga ky përshkrim i shkurtër i DASH, siç analizon “Zhurnal.mk”, duket qartë se qeveria nuk vlerësohet si e “korruptuar” por si një qeveri e cila ka ndërmarrë disa hapa që të ndëshkojë të gjithë ata që bëjnë shkelje të të drejtave të njeriut.
Fakt i rëndësishëm është që sa i përket korrupsionit, DASH thekson se ka presion ndaj gazetarëve që e hetojnë korrupsionin.
“Sipas medias dhe organizatave të shoqërisë civile (OSHC), liria e shprehjes u minua nga një numër në rritje i padive strategjike kundër gazetarëve, sjellja e papërshtatshme nga ana e zyrtarëve publikë në ndërveprimin e tyre me gazetarët, presioni i tepruar mbi gazetarët që hetojnë korrupsionin, dezinformimin, gjuhën e urrejtjes në mediat online dhe sociale, si dhe autocensura”, thuhet në Raport.
Vërejtja që e përmend DASH është në ndryshimin e Ligjit për Shërbimet Mediatike Audio-Vizuale për të lejuar që fushatat e “interesit të lartë publik” të paguara nga qeveria të reklamohen përmes transmetuesve komercialë, duke shprehur shqetësim në lidhje me ndryshimet dhe e kritikuan ligjin si një kthim në korrupsionin dhe klientelizmin e përhapur në media.
Duke cituar raportin e Reporterëve pa Kufij, Departamenti i Shtetit deklaron se dy partitë më të mëdha politike kishin krijuar sisteme mediatike paralele mbi të cilat ushtronin ndikimin e tyre politik dhe ekonomik. Reporterët pa Kufij vunë re se transmetuesit publik i mungonte pavarësia editoriale dhe financiare. Raporti vuri në dukje se media online, ndërsa përfitonte nga liria më e madhe e shprehjes, u përball me sulme dixhitale dhe përpjekje për të diskredituar gazetarët.
Për këtë fenomen shkroi ditë më parë edhe “Zhurnal.mk”, duke sugjeruar që në asnjë mënyrë nuk guxon të bëhen gabimet e së kaluarës kur hapeshin portale fiktive që të thitheshin mjete nga buxheti për zgjedhje dhe të shpërndaheshin lajme të rreme.
Gjithashtu në raport thuhet se qeveria dhe punëdhënësit në përgjithësi respektuan lirinë e shoqërimit, të drejtën e grevës dhe të drejtën e negociatave kolektive.
Sa i përket zhdukjes dhe rrëmbimit nuk pati raportime për zhdukje me forcë nga ose në emër të autoriteteve qeveritare.
Lidhur me sigurinë dhe shëndetin në punë, Raporti pohon se standardet e sigurisë dhe shëndetit në punë (SSHP) ishin përgjithësisht të përshtatshme për industritë kryesore dhe punëdhënësit ishin përgjegjës për vlerësimin e rreziqeve me të cilat përballeshin punonjësit e tyre në punë.
Departamenti i Shtetit vlerëson se qeveria nuk i zbatoi në mënyrë efektive ligjet për pagën minimale, orët shtesë dhe SSHP-në, veçanërisht në sektorët e tekstilit dhe ndërtimit, duke vënë në dukje se ISHP-ja dhe Inspektorati Shtetëror për Inspektimin Teknik ishin përgjegjës për zbatimin e ligjeve përkatëse.
Lidhur me ndalimin, thuhet se qeveria në përgjithësi i respektoi këto kërkesa, përfundon ai.
Lidhur me refugjatët, Raporti vëren se qeveria bashkëpunoi me Zyrën e Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR) dhe organizata të tjera humanitare në ofrimin e mbrojtjes dhe ndihmës për refugjatët, azilkërkuesit, personat pa shtetësi dhe personat që u është dhënë mbrojtje plotësuese.
Raporti vëren gjithashtu se në dhjetor 2023, parlamenti miratoi ndryshimet në Ligjin për të Huajt që u mundësojnë të gjithë refugjatëve nga Kosova me mbrojtje plotësuese, përfshirë ata statusi i të cilëve kishte pushuar më parë, të aplikojnë për qëndrim të përhershëm.
Sa i përket akteve të antisemitizmit dhe nxitje antisemite komuniteti hebraik vlerësoi se në vend banonin afërsisht 200 persona hebrenj, megjithëse vetëm 66 persona u deklaruan si hebrenj sipas etnisë në regjistrimin e vitit 2021. Komuniteti nuk raportoi incidente të dhunshme kundër anëtarëve të tij, por vëzhguesit raportuan një rritje të konsiderueshme të retorikës antisemite, kryesisht në internet.
Në përgjithësi raporti i DASH-it jep një vlerësim pozitiv për qeverinë gjatë vitit 2024, ndryshe nga e kaluara kur ky Raport ishte i stërmbushur me akuza dhe fakte konkrete se si abuzohej me të drejtat themelore të njeriut, me korrupsionin dhe çështje tjera të rëndësishme të shoqërisë, shkruan “Zhurnal.mk”.
