Gjatë kësaj jave, Komisioni Qendror i zgjedhjeve ka tërhequr mbi 13,000 pako të supozuara me fletëvotime nga kutitë postare të hapura në 22 shtete të ndryshme të botës.
Këto pako me fletëvotime i takojnë votimit jashtë Kosovës në raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të 18 komunave, i cili ka përfunduar më 8 nëntor, derisa numra i shtetasve që kishin të drejtë të votonin në këtë proces ishe rreth 30,000.
Lajmi është konfirmuar për Gazeta Express nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Gjatë ditës së martë dhe të mërkurë, nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme të botës, është bërë tërheqja e më shumë se 13,000 pakove të supozuara me fletëvotime, të cilat i takojnë votimit me postë jashtë Kosovës në raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të 18 komunave”, tha Elezi.
Sipas tij, para numërimit të këtyre fletëvotimeve do të bëhet verifikimi i tyre për t’u siguruar se të njëjtat janë dërguar nga votuesit e regjistruar.
“Para numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë vendit, të enjten në mesditë ka filluar procesi i vlerësimit dhe verifikimit i tyre, që ka për qëllim të vërtetojë nëse këto pako janë dërguar nga shtetasit e Kosovës që janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës. Pra, procesit të vlerësimit do t’i nënshtrohen 13,000 pako dhe në fund do të kemi më shumë detaje. KQZ i referohet këtyre pakove si “pako të supozuara me fletëvotime” sepse në këtë fazë nuk mund ta dijmë me saktësi nëse brenda tyre ka fletëvotime dhe nëse të njëjtat janë dorëzuar nga votuesit e regjistruar”, njoftoi Elezi.
Sipas KQZ-së, gjatë periudhës së regjistrimit (23 korrik – 29 gusht 2025) numri i shtetasve të regjistruar për të votuar përmes postës në raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të 18 komunave ishte: 29,725 votues.
