Eurobatrometri: 35% përqind e qytetarëve besojnë se Maqedonia do të hyj në BE brenda 15 viteve të ardhshme

nga L. M

Gjithsej 70 për qind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut e mbështesin anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, ku nga anëtarësimi presin përfitime siç janë kufinjë të hapur, tregti të lirë dhe një cilësi më e mirë e jetesës, tregojnë rezultatet e hulumtimit më të fundit të Eurobarometrit kushtuar procesit të zgjerimit të BE-së.

Në pyetjen “Kur besojnë se Maqedonia e Veriut do të bëhet anëtare e BE-së”, 27 për qind u përgjigjën “në pesë vitet e ardhshme” 35 për qind “prej pesë deri në 15 vjet”, ndërsa 16 për qind se “do të nevojiten më shumë se 15 vjet, por do të bëhet anëtare”. Po kaq për qind, 16, besojnë se “shteti kurrë nuk do të bëhet anëtare e BE-së”, ndërsa gjashtë për qind deklaruan se nuk e dinë.

Kur bëhet fjalë për qëndrimin ndaj BE-së, 23 për qind e qytetarëve të vendit kanë një përshtypje “shumë pozitive” për Unionin, 42 për qind “mjaft pozitive”, 20 për qind “neutrale”, 10 për qind “negative”, ndërsa katër për qind “shumë negative”. Një për qind e të anketuarve nuk kanë qëndrim.

Madje 90 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se janë “mirë” ose “pjesërisht” të informuar për procesin e integrimit të shtetit në BE, ndërsa 70 për qind mendojnë se anëtarësimi në BE do të sillte më shumë përfitime sesa mangësi për vendin.

Si përfitime nga anëtarësimi në BE, 48 për qind e qytetarëve të Maqedonisë i konsiderojnë kufijtë e hapur dhe mundësinë për të udhëtuar në vendet e tjera të Unionit pa viza, 43 për qind tregtinë e lirë dhe zonën pa dogana, ndërsa 42 për qind vlerësojnë si përfitim cilësinë më të lartë të jetës dhe standardin më të lartë jetësor.

Për 44 për qind të qytetarëve të vendit, shqetësimi më i madh lidhur me anëtarësimin në BE është largimi i të rinjve dhe migrimi, për 20 për qind rritja e burokracisë, ndërsa për 17 për qind numri më i madh i rregulloreve evropiane dhe kufizimi i lirisë kombëtare.

Pengesa kryesore për anëtarësimin e vendit në BE, sipas 41 për qind të të anketuarve të Maqedonisë, është “korrupsioni i përhapur”, për 38 për qind “mungesa e sundimit të ligjit dhe gjyqësori joefikas”, ndërsa për 37 për qind “mospajtimet e disa vendeve anëtare”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More