Fenomen kozmik unik: një planet që po ‘ha’ gaz e pluhur me shpejtësi marramendëse

nga L. M

Këtë herë, një lajm vërtet tronditës vjen nga fusha e astronomisë, ku është zbuluar një planet që sillet në mënyrë të ngjashme me një yll. Quhet Cha 1107-7626 dhe ndodhet jashtë sistemit tonë diellor, rreth 620 vite dritë larg Tokës, në konstelacionin Chamaeleon.

Ky planet endacak nuk rrotullohet rreth asnjë ylli dhe ka një masë pesë deri në dhjetë herë më të madhe se ajo e Jupiterit, planeti më i madh i sistemit tonë diellor. Por, sipas një studimi të botuar në ‘The Astrophysical Journal Letters’, madhësia e tij vazhdon të rritet çdo sekondë.

Astronomi Víctor Almendros-Abad, nga Observatori Astronomik i Palermos (Instituti Kombëtar i Astrofizikës në Itali), thekson se bëhet fjalë për shkallën më të lartë të rritjes së regjistruar ndonjëherë për një planet. Astronomët e zbuluan Cha 1107-7626 për herë të parë në vitin 2008.

Sipas Aleks Scholz, astronom në Universitetin e St. Andrews në Skoci, ky planet ka nga një deri në dy milionë vjet jetë dhe, megjithëse kjo mund të duket paradoksale, ndodhet ende në “periudhën e tij foshnjore”. Edhe pse është i madh në përmasa, ekspertët thonë se shpejtësia e rritjes së tij ndryshon për shkak të diskut të gazit dhe pluhurit që e rrethon.

Planeti po shton material rreth tetë herë më shpejt se disa muaj më parë, duke përthithur gaz dhe pluhur me një ritëm rekord prej 6.600 miliardë tonësh në sekondë.

“E kemi kapur këtë planet endacak sapo ka lindur, në aktin e përthithjes së materialit me një ritëm të furishëm,” – shpjegon bashkautor i studimit, Ray Jayawardhana.

“Duke vëzhguar sjelljen e tij gjatë muajve të fundit, me dy nga teleskopët më të fuqishëm në Tokë dhe në hapësirë, kemi marrë një pamje të rrallë të fazës foshnjore të objekteve të izoluara që nuk janë shumë më të rënda se Jupiteri. Fëmijëria e tyre duket shumë më e trazuar sesa e kishim imagjinuar,” – përfundon astronomi.

Image

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More