Shkup, 20 qershor – Koalicioni i ri i quajtur “BASHKË” ndërmjet Frontit Evropian dhe Arben Taravarit shënon një kthesë të fortë politike, jo vetëm për shkak të marrëveshjes për ndarjen e komunave, por për shkak të asaj që përfaqëson në thelb një bashkim interesash mes tre figurave që, deri dje, ishin kundërshtarë të hapur publikisht Ali Ahmeti, Ziadin Sela dhe Arben Taravari. Tani, ky “trekëndësh politik” kërkon t’i harrojë të gjitha përplasjet dhe akuzat e së kaluarës me një bashkëpunim që në sipërfaqe quhet strategjik, por në përmbajtje shihet si një kalkulim pushteti, jo si projekt për të ardhmen e qytetarëve, shkruan Zhurnal.
Nga akuza për kapje shteti, në mirëkuptim në ndarje të komunave –
Vetëm pak muaj më parë, Taravari ishte ndër kritikët më të zëshëm të Frontit Evropian, me akuza të drejtpërdrejta për kapje të shtetit, korrupsion dhe keqqeverisje. Ndërsa tani, në emër të “bashkimit të faktorit politik shqiptar”, ai jo vetëm ulet në një tryezë me ta, por edhe pranon ndarjen e komunave si mënyrë për të ndërtuar një bosht të ri politik.
Sipas marrëveshjes së dakordësuar mes palëve të cilën e kanë konfirmuar burime të shumta mediatike, Aleanca për Shqiptarët e Taravarit do të propozojë kandidatë në Gostivar, Saraj dhe Tearcë, ndërsa krahu i Ziadin Selës brenda Frontit Evropian do të garojë në Strugë, Dibër dhe Haraçinë. Në Vrapçisht pritet një kandidat i përbashkët.
A nuk ishin gjashtë komunat një garanci që Taravari ia ofronte elektoratit si pjesë e alternativës ndaj BDI-së? Ku mbeti ai zotim? Pse sot ai mjaftohet me tri komuna, ndërsa pjesën tjetër ia lë një partie që deri dje e quante të konsumuar?
Ky transformim nuk është thjesht pragmatizëm politik. Për shumë votues, është një goditje e rëndë ndaj vetëdijes politike dhe kujtesës kolektive. Po i thuhet elektoratit shqiptar që as parimet, as fjalët e dhëna nuk vlejnë kur vjen puna te pushteti.
Trekëndëshi që përgënjeshtron vetveten –
Ali Ahmeti dhe Ziadin Sela kanë pasur përplasje të shumta politike në të kaluarën. Edhe më të thella kanë qenë ato mes Selës dhe Taravarit pas ndarjes së Aleancës. Sot, ata shfaqen të bashkuar si pjesë e një projekti që përpiqet të paraqitet si përbashkues për shqiptarët, ndërkohë që në thelb është një manovër për të shpëtuar secili nga rënia politike individuale.
Këta nuk janë vetëm ish-kundërshtarë, janë kundërshtarë të trefishtë që përkohësisht janë bashkuar kundër një krize legjitimiteti. Bashkimi i tyre nuk është rezultat i një vizioni të përbashkët, por i një frike të përbashkët frikës nga humbja në zgjedhje dhe humbja e kontrollit në terren.
Në anën tjetër, koalicioni shqiptar VLEN pjesë e shumicës aktuale qeveritare ndodhet përpara një procesi të brendshëm transformimi, që mund të përfundojë me shkrirje ose ristrukturim. Ndërsa kjo ndodh, “BASHKË” përpiqet të mbijetojë politikisht përmes kompromisesh që rrezikojnë të lënë pas vetes shumë votues të zhgënjyer.
Bashkimi i këtyre tre figurave në një koalicion që më shumë ngjan si armëpushim i përkohshëm sesa si partneritet i sinqertë, tregon se politika shqiptare në Maqedoninë e Veriut vazhdon të ndërtohet mbi pazare dhe jo mbi vlera. Po harrohet se qytetari i sotëm ka memorie, ka internet, ka rrjete sociale dhe ka pyetje. Dhe pyetja më e madhe është kjo: Sa herë mund t’ia shesësh të njëjtit votues të njëjtën histori me aktorë që sot thonë “BASHKË”, por dje thoshin “kurrë më bashkë”? /Zhurnal.mk
