Kina po bëhet gjithnjë e më shumë një forcë kyçe në qeverisjen globale të klimës, ndërsa Shtetet e Bashkuara po tërhiqen dhe Evropa po përshtat qasjen e saj, shkruajti të martën gazeta Helsingin Sanomat (HS) e Finlandës në një editorial të saj.
Me titullin “Kina po shfaqet si një lojtar kyç në politikën e klimës”, editoriali vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara mungojnë në Konferencën e 30-të të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike që po zhvillohet në Belem të Brazilit. HS tha se administrata e Presidentit të SHBA-së Donald Trump, dyshohet madje se po kërkon të prishë bashkëpunimin ndërkombëtar për klimën, duke përmendur veton e fundit të Uashingtonit në Organizatën Ndërkombëtare Detare, kundër një plani global për reduktimin e emetimeve për transportin detar.
Ndërkohë, liderët e Bashkimit Evropian, të parë prej kohësh si kampionë të veprimeve klimatike, tani po theksojnë konkurrencën së bashku me objektivat klimatike, një ndryshim që HS tha se mund të dobësojë përpjekjet e bllokut për klimën.
Me SHBA-në që po tërhiqet, Kina po shfaqet si një forcë vendimtare në politikën globale të klimës, tha HS. Gjithashtu theksoi se strategjia e zhvillimit të Kinës, e lidh gjithnjë e më shumë rritjen ekonomike me objektivat klimatike, duke nxitur tranzicionin global të gjelbër përmes teknologjisë dhe investimeve, veçanërisht në vendet në zhvillim, të ndjeshme ndaj rreziqeve klimatike.
HS vlerësoi qasjen pragmatike të Kinës ndaj klimës, duke vënë në dukje se ajo shpesh i tejkalon objektivat e saj realiste. Gazeta tha se Kina ka përmbushur shumicën e premtimeve të saj të mëparshme dhe ka deklaruar të reja, duke përfshirë zgjerimin e kapacitetit të energjisë së rinovueshme dhe uljen e mëtejshme të emetimeve deri në vitin 2035.
HS paralajmëroi se përpjekjet globale për uljen e emetimeve, ende nuk arrijnë objektivat e Marrëveshjes së Parisit. Ndërsa SHBA-të po zvogëlojnë fondet e zhvillimit dhe disa vende të BE-së po reduktojnë financimet për klimën, nevojitet veprim i përbashkët më i fortë, tha editoriali.
Megjithatë, bizneset vazhdojnë të mbështesin procesin e klimës të udhëhequr nga OKB-ja, shtoi HS. Finlanda ka dërguar një delegacion të korporatave në Belem, për të shfaqur iniciativat dhe angazhimin e saj ndaj veprimeve globale klimatike.
