Gjykata Kushtetuese përfaqëson Evropën në Kongresin Botëror për Drejtësinë Kushtetuese

nga D. V.

Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i përbërë nga kryetarja Holta Zaçaj dhe gjyqtarët Sonila Bejtja dhe Genti Ibrahimi, mori pjesë në Kongresin e 6-të të Konferencës Botërore për Drejtësinë Kushtetuese (WCCJ).

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë mori pjesë në këtë kongres në dy cilësi: si kryesuese e Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane (CECC) dhe si anëtare e Byrosë drejtuese të WCCJ.

Kongresi u parapri nga takimet e grupimeve të organizmave aderuese dhe, në cilësinë e Kryetares së Konferencës Europiane, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë Holta Zaçaj drejtoi takimin e grupimit rajonal të gjykatave kushtetuese evropiane, si dhe e përfaqësoi këtë grupim rajonal në takimin e Byrosë drejtuese të Konferencës Botërore.

Gjatë takimit të grupimit të gjykatave kushtetuese evropiane, Zaçaj bëri një prezantim të veprimtarisë së deritanishme të CECC nën kryesimin e Shqipërisë, drejtoi diskutimet si dhe mori qëndrimet e gjykatave pjesëmarrëse rreth çështjeve për të cilat grupimi rajonal CECC shprehet dhe voton në Byronë drejtuese të Konferencës Botërore.

Në vijim të këtij takimi, Zaçaj mori pjesë dhe përfaqësoi Konferencën Evropiane në Byronë e Konferencës Botërore, duke përcjellë qëndrimet dhe vendimmarrjen e gjykatave evropiane.

Byroja drejtuese e Konferencës Botërore mori vendime me natyrë organizative, si dhe në lidhje me kërkesat dhe propozimet e adresuara nga grupimet në përbërje të saj.

Po ashtu, Gjykata Kushtetuese mori pjesë në takimin e grupimit të gjykatave kushtetuese frankofone ACCF, duke qenë edhe anëtare e Byrosë drejtuese të kësaj shoqate.

Nën temën kryesore të këtij Kongresi “Të drejtat e njeriut të gjeneratave të ardhshme”, gjykatat pjesëmarrëse trajtuan dhe analizuan në kontekstin e drejtësisë kushtetuese dimensionet individuale dhe kolektive të drejtësisë ndërmjet brezave, të tilla si ruajtja e mjedisit dhe e burimeve natyrore, mbrojtja e trashëgimisë kulturore të njerëzimit, aksesi në njohuritë shkencore dhe teknologjitë e reja, si dhe pavarësia gjyqësore.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More