Shkup, 7 shtator – “Në një atmosferë vere, që mbante freskinë e mbrëmjes, u takuam me banorët e lagjes Jahja Pasha. Disa të ulur, shumë të tjerë në këmbë, të gjithë të vëmendshëm e të interesuar, biseduam hapur për punët e realizuara dhe për planet që na presin.
Folëm për investimet që tashmë kanë përmirësuar jetën e përditshme: ndërtimin dhe asfaltimin e rrugëve, restaurimin e shkollave, rregullimin e kanalizimeve dhe vendosjen e rrjetit atmosferik, si dhe hapjen e shumë parkingjeve. Projekte këto që kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetesës së banorëve.
Diskutuam gjithashtu për hapat e ardhshëm, me projekte që synojnë zhvillimin urban, krijimin e kushteve më të mira infrastrukturore dhe ndërtimin e një lagjeje më funksionale e më moderne, jo vetëm për banorët e Jahja Pashës, por edhe për gjithë Çairin.
Gjithashtu edhe sonte dëgjuam me kujdes kërkesat e banorëve, të cilat do të marrin zgjidhje, ashtu siç kemi përmbushur edhe kërkesat e lagjeve të tjera.
Ky takim ishte pjesë e lidhjes sonë të vazhdueshme me qytetarët, të cilët me pyetjet, sugjerimet dhe shqetësimet e tyre, na japin drejtim për të ecur përpara.”, njofton Izet Mexhiti