Shkup, 9 shtator – Në skenën politike shqiptare, shpesh jemi mësuar të shohim liderë që pozojnë me të rinjtë për fotografi, duke e shitur afërsinë me gjeneratën e re si kapital elektoral. Por kur zbret fushata premtimet shuhen dhe të rinjtë mbeten sërish në periferi. Pikërisht këtë cikël të kotë po përpiqet ta thyejë kandidati i VLEN-it për Çair, Izet Mexhiti, duke prezantuar një projekt konkret dhe të detajuar për Qendrën Rinore të Çairit, shkruan Zhurnal.
Katër kate për gjeneratën e re –
Sipas projektit të Mexhitit, qendra nuk është thjesht një hapësirë simbolike por një strukturë e plotë me katër nivele funksionale:
Kati i parë: bibliotekë dhe sallë ligjërimesh – një hapësirë e hapur për lexim, hulumtime dhe ngjarje kulturore.
Kati i dytë: qendër digjitale me laborator për inteligjencë artificiale, trajnime falas në programim dhe shkrim-lexim digjital, si dhe një hapësirë për startape dhe mentorim.
Kati i tretë: STEM akademi, ku të rinjtë do të kenë qasje në shkencë, teknologji, art e matematikë.
Kati i katërt: hapësira e teatrit, këshillimit dhe aktiviteteve kreative, ku gjenerata e re do të ketë lirinë e shprehjes.
Ky koncept, i paraqitur me detaje konkrete, e dallon qasjen e Mexhitit nga “fotografitë e bukura” që janë konsumuar politikisht prej kohësh.
Investim te rinia jo marketing politik –
Në thelb, ky projekt i dërgon një mesazh të qartë qytetarëve të Çairit të rinjtë nuk janë dekor elektoral por bartës të ardhmërisë. Mexhiti po tenton të ndërtojë një politikë ku rinia e Çairit të ketë hapësirë reale për arsim, inovacion, art dhe kreativitet.
Në një kohë kur partitë e vjetra shfaqen pranë të rinjve vetëm për t’i përdorur si sfond, VLEN dhe kandidati i saj po premtojnë një investim të prekshëm, që lidhet drejtpërdrejt me nevojat e brezit të ri.
Kjo qasje është gjithashtu një goditje indirekte ndaj politikës së deritanishme të BDI-së, e cila ka monopolizuar pushtetin pa ofruar vizion afatgjatë për gjeneratat e reja. Mexhiti po i kthen rinisë së Çairit një zë të munguar, duke i dhënë jo vetëm hapësirë fizike por edhe mundësi për zhvillim personal dhe profesional.
Kujtojmë që, nëse ky zotim i Mexhitit do të jetësohet pas zgjedhjeve lokale do të jetë shembull në nivel vendi ku rina nuk shihet si dekor por si katalizator për zhvillim dhe ndërtim. Rina me projekte të tilla hynë në listën e prioriteve të udhëheqsve si në pushtetin lokal ngjashëm edhe në atë qendor. /Zhurnal.mk