Kampus i ri për Universitetin “Nënë Tereza” një hap strategjik për arsimin e lartë!

nga I.A

Shkup, 19 shtator – Në një kohë kur debati politik shpesh përqendrohet te krizat e përditshme, lajmi i dhënë nga zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti lidhur me ndërtimin e kampusit të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup përfaqëson një zhvillim që shkon përtej mandatit të zakonshëm politik. Me vendimin e Qeverisë për t’i dhënë universitetit një parcelë prej mbi 31 mijë metrash katrorë dhe me një investim të paraparë prej 40 milionë euro, arsimi i lartë shqiptar në Maqedoninë e Veriut hyn në një fazë të re, shkruan Zhurnal.

Rëndësia e Universitetit “Nënë Tereza” –

Universiteti “Nënë Tereza” nuk është thjesht një institucion akademik. Ai është simbol i emancipimit arsimor shqiptar i përpjekjes për t’u bërë pjesë e një tregu akademik konkurrues dhe i aspiratave për dije e zhvillim. Shumë të rinj shqiptarë që deri dje shihnin studimet jashtë vendit si alternativën e vetme sot e kanë një adresë cilësore brenda Shkupit.

Ky universitet ka potencial të shndërrohet në qendër të kërkimit shkencor, të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe të formimit të elitës së re intelektuale. Në këtë kuptim, investimi për kampusin nuk është vetëm ndërtim objektesh, por është një premtim për një gjeneratë të ardhshme profesionistësh që do të udhëheqin zhvillimin ekonomik e shoqëror.

Universitetet në rajonin tonë si Universiteti i Tiranës, ai i Prishtinës apo Universiteti i Beogradit prej kohësh kanë pasur kampuse të konsoliduara dhe infrastrukturë të gjerë. Deri më sot, universitetet shqiptare në Maqedoninë e Veriut shpesh kanë vuajtur nga mungesa e hapësirës, kushteve moderne dhe investimeve strategjike.

Me kampusin e ri, UNT ka shansin të dalë nga kjo situatë dhe të hyjë në një ligë tjetër konkurrimi, duke tërhequr jo vetëm studentë vendorë, por edhe ata nga rajoni. Një investim prej 40 milionë eurosh e vendos këtë universitet në një trajektore të re zhvillimi, ku cilësia e mësimdhënies dhe kërkimit mund të rivalizojë me qendrat më të zhvilluara akademike të Ballkanit.

Ndërtimi i kampusit nuk do të ketë ndikim vetëm mbi arsimin, por edhe mbi ekonominë lokale dhe jetën shoqërore të Shkupit, veçanërisht në Çair. Ky projekt pritet të gjenerojë punësime të reja gjatë ndërtimit dhe më pas përmes stafit akademik, administrativ dhe mbështetës. Zhvillim lokal si hapja e bizneseve të reja (librari, kafene, hapësira shërbimi) rreth kampusit që do të shërbejnë mijëra studentë.

Integrim rajonal duke tërhequr studentë nga rajoni, Shkupi forcohet si qendër universitare dhe akademike, duke e rritur ndikimin e tij përtej kufijve të vendit. Nuk do të mungojë as kapitali social një universitet modern i pajisur me laboratorë, biblioteka dhe hapësira të reja do të krijojë gjenerata më të përgatitura për tregun e punës, duke kontribuar në një shoqëri më të barabartë dhe më të integruar.

Izet Mexhiti dhe vizioni për arsimin e lartë –

Duke e shpallur këtë projekt Mexhiti e vendos veten si një politikan që kupton rëndësinë e arsimit të lartë në ndërtimin e një shoqërie moderne. Për të, investimi prej 40 milionë eurosh është më shumë se një shifër është një kapital për dijen, ëndrrat dhe mundësitë e barabarta.

Në një realitet ku universitetet shpesh përballen me sfida infrastrukturore, mungesë laboratorësh, hapësira të pamjaftueshme dhe kushte të vjetruara, ndërtimi i një kampusi modern është një hap që krijon standard të ri për arsimin universitar. Një kampus i tillë jo vetëm që e forcon pozitën e UNT-së, por e bën Shkupin një qendër më atraktive akademike në rajon.

Kujtojmë që, kampusi i ri i Universitetit “Nënë Tereza” është më shumë sesa një projekt ndërtimor është një vizion për të ardhmen. Ai flet për besimin se arsimimi i lartë është çelësi i zhvillimit afatgjatë dhe se shoqëritë që investojnë në dije, investojnë në vetë qëndrueshmërinë e tyre. Me këtë hap, Mexhiti jo vetëm që afirmon rolin e UNT-së si institucion akademik, por edhe dërgon një mesazh politik e shoqëror të qartë e ardhmja ndërtohet mbi themelet e dijes. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More