Shitja e mallrave të konsumit sipas programit të “këmbimit të të vjetrave me të reja”, të mbështetur nga politikat në Kinë, arriti në më shumë se 2.6 trilionë juanë (rreth 369.9 miliardë dollarë amerikanë) vitin e kaluar, duke sjellë përfitime për mbi 360 milionë veta, treguan të dhënat nga Ministria e Tregtisë e Kinës të enjten.
Më shumë se 11.5 milionë automjete, 129 milionë pajisje elektroshtëpiake, 91 milionë produkte digjitale, 120 milionë artikuj zbukurimi shtëpie, pajisje kuzhine e banjoje, si edhe 12.5 milionë biçikleta elektrike u blenë nëpërmjet programit të këmbimit të mallrave të vjetra të konsumit me të reja vitin e kaluar.
Në 11 muajt e parë të vitit 2025, shitjet me pakicë të mallrave të konsumit u rritën me 4 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit pararendës, dhe ky program kontribuoi mbi 1 pikë përqindjeje në këtë rritje, sipas ministrisë.
Kjo nismë nxiti gjithashtu përmirësimin industrial dhe tranzicionin e gjelbër. Automjetet me energji të re përbënin gati 60 për qind të automjeteve të këmbyera, duke ndihmuar në rritjen mbi 50 për qind për nëntë muaj rresht të pjesës së tregut të shitjes me pakicë të automjeteve të pasagjerëve me energji të re.
Vjet vëllimi i riciklimit të automjeteve jashtë përdorimit pati një rritje vjetore 24.5 për qind, gjë që lehtësoi riciklimin e rreth 9.6 milionë tonëve çelik dhe 1.3 milionë tonëve metale me ngjyrë, duke i ulur lëshimet e karbonit me afro 24.5 milionë tonë.
Që nga zbatimi i programit në shtator 2024, mbi 480 milionë subvencione janë dhënë drejtpërdrejt për konsumatorët kinezë, duke sjellë produkte ekologjike, me karbon të ulët dhe inteligjentë në jetën e tyre të përditshme, tha ministria.

