Lodrat dhe produktet për fëmijë, që prindërit i blejnë me besimin se janë të sigurta, kanë qenë sërish nën lupën e Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut.
Nga 279 lodra të testuara, tre nuk përmbushnin standardet e sigurisë, një detaj që ngre shqetësime, pavarësisht rezultateve pozitive në shumicën e produkteve të tregut.
Sipas raportit vjetor të Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, në fokus të inspektimeve kanë qenë lodrat, detergjentët, tekstilet, veshjet e këmbës dhe produktet për fëmijë si karrocat, biberonat dhe takëmet. Nga inspektimet, janë vendosur gjithsej 12 masa administrative, përfshirë 11 gjoba dhe një paralajmërim.
Elementi më i ndjeshëm mbetet tregu i lodrave. Gjatë vitit 2024, ISHMT kreu 43 inspektime tek operatorët ekonomikë që importojnë apo shpërndajnë lodra. Nga 279 produkte të kontrolluara, 3 prej tyre rezultuan jo në përputhje me legjislacionin për sigurinë e lodrave. Për këtë shkelje është vendosur një gjobë administrative.
Ndërkohë, kontrolli i detergjenteve, një tjetër kategori që prek direkt konsumatorin, rezultoi pa shkelje. Nga 113 inspektime të zhvilluara në subjekte prodhuese dhe importuese, të gjitha 956 produktet e testuara ishin në përputhje me rregullat për etiketim dhe përbërje.
Sektori i tekstileve dhe veshjeve të këmbës gjithashtu ka treguar përputhje të plotë me standardet. ISHMT raportoi 47 inspektime për etiketimin e materialeve të këpucëve dhe 114 për produktet tekstile, ku asnjë produkt nuk rezultoi problematik.
Institucioni thekson se është përqendruar edhe tek produktet për fëmijë, ku janë inspektuar 181 artikuj si biberona, karroca dhe rrethore, të cilët kanë rezultuar konform standardeve të sigurisë.
Një tjetër prioritet ka qenë monitorimi i qeseve plastike, në zbatim të ndalimit ligjor të qeseve që nuk plotësojnë kriteret mjedisore. Për këtë kategori janë vendosur 2 masa gjobë për shkelje të legjislacioni./Monitor