Kriza për nënat e reja/ Fondi i Shëndetësisë nuk mbulon nevojat bazë të foshnjave

nga Xh M

Shkup, 23 nëntor – Shumë nëna me foshnjat e tyre janë të shqetësuara sepse të ardhurat e vetme nga të cilat ato varen për t’i mbuluar shpenzimet për shtëpinë dhe për nevojat e foshnjave të tyre nuk po u paguhen në kohë. Sipas dhjetëra nënave që e kontaktuan Slloboden Peçat për të shprehur shqetësimin e tyre, pagesa për lejen e lindjes po vonon. Kjo vonesë po ndodh në një kohë kur produktet janë gjithnjë e më të shtrenjta, pelenat, ushqimi për foshnja, qumështi i adaptuar dhe nevojat e tjera që nuk mund të presin, gjë që është stresuese për shumë familje, transmeton Portalb.mk.

“Disa prej nesh morën pagesën e lejes së lindjes për muajin tetor. Por çdo muaj është e njëjta gjë, pagesa vonon dhe jo vetëm për lejen e lindjes, por vonojnë edhe pagesa të tjera me muaj të tërë. Është turp! Të mos e lëmë me kaq e të mos lejojmë që çdo muaj të jetë i njëjtë dhe të nervozohemi dhe të presim. Është mëkat për fëmijët. Le të përcjellin mediat se si është realiteti çdo muaj. Çfarë mund të bëjmë që të mos jetë gjithmonë kështu?”, shkroi një nga këto nëna në grupin në Facebook “Pagesa e lejes së lindjes/Leja e zgjatur e lindjes“.

Nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore thanë se shumica e pagesave bëhen nga data 10 deri në datën 20 të muajit, por konfirmojnë se një numër i caktuar pagesash bëhen edhe deri në fund të muajit.

Procedurat administrative për pagesën e lejes së lindjes, sipas përfituesve të kësaj të drejte, nuk janë të unifikuara. Mund të ndodhë që paratë të mos kalojnë në llogaritë e tyre as pas 50 ditësh.

“Dy muajt e parë pagesa e lejes së lindjes më është paguar rregullisht pa vonesë. Kur i dorëzuam dokumentet ata na thanë se do merrnim pagesat çdo muaj më datën një, por asgjë nga kjo, vetëm gënjeshtra”, u ankua një nënë tjetër në grupin në Facebook.

Përvojën e saj e ndau edhe një grua tjetër e cila thotë se tashmë tetë muaj po shfrytëzon lejen e lindjes.

“Vetëm dy pagesat e para ishin në kohë, pra më datë 8 të muajit. Pastaj, çdo muaj paguhej gjithnjë e më vonë, ndërsa këtë muaj pagesa mu bë sot. Që do të thotë, siç tha një anëtare më sipër, çdo muaj pagesa vonohet për një javë nga ajo që e kemi marrë muajin e kaluar. Për të qenë më e saktë, nëse fillimisht e merrnim më datë 8 të çdo muaji, tani pagesa bëhet në datën 20, që do të thotë se në vend të 30 ditëve, ne e marrim pagesën në 37-40 ditë. Gjë që nuk është e në rregull sepse shpenzimet i planifikojmë në bazë mujore, e jo në varësi të dëshirave të institucioneve”, thotë ajo.

Një nënë tjetër thotë se ende po e pret gjysmën e pagesës për muajin shtator.

“Duhet të jeni mirënjohëse që po prisni pagesën për muajin tetor, unë ende po e pres gjysmën e pagesës për muajin shtator. E të mos flas për gjërat e tjera që u takojnë fëmijëve që nuk janë realizuar ende. Kryesorja para për zgjedhjet dhe për treqind gjëra të tjera ka, por ne do i presim paratë e lejes së lindjes për të blerë pelena dhe qumësht. Është e tmerrshme kjo që po ndodh në këtë vend”, thotë ajo.

Anëtare të shumta të këtij grupi u bëjnë thirrje institucioneve që të punojnë me përgjegjësi dhe me mend.

“Disa familje jetojnë vetëm me ato të ardhura. Foshnjat kanë nevoja. E njëjta gjë vlen edhe për pagesat e tjera. Ndihmën për fëmijën e parë ose të dytë ata e lëshojnë pas disa muajsh. Le të caktojnë një datë pagese gjatë muajit që ne do ta dimë se kur do t’i marrim paratë dhe të jetë e qartë. Është për të ardhur keq që nuk kemi para për qumësht ose pelena, foshnjat duhet të jenë të parat, ndërkohë që para zgjedhjeve premtohen shumë gjëra për ta rritur natalitetin dhe lindjen e foshnjave. Disa i kanë paguar kontributet e tyre vetë që të mund të marrin lejen e lindjes dhe në fund presin një muaj e gjysmë për të marrë para”, komenton një nënë tjetër.

Nga FSShM thanë se pagesa për lejen e lindjes nuk është një proces i njëhershëm, por një proces i vazhdueshëm që zgjat gjatë gjithë muajit. Përllogaritjet përgatiten nga Njësitë Rajonale të Fondit bazuar në të dhënat e dorëzuara nga punëdhënësit. Pas përpunimit të tyre përllogaritjet dorëzohen për pagesë.

“Shumica e pagesave bëhen nga data 10 deri në datën 20 të muajit, por një numër i caktuar pagesash bëhen edhe deri në fund të muajit. Për muajin tetor të vitit 2025 deri më tani janë përpunuar 6.268 lëndë të lejes së lindjes, me një shumë të përgjithshme prej 340 milionë denarësh. Sa për krahasim, në shtator të vitit 2025 janë përpunuar 7.319 lëndë dhe janë bërë pagesa për po aq persona, me një shumë të përgjithshme prej 384 milionë denarësh, që tregon se disa nga përllogaritjet për muajin tetor ende po përpunohen dhe pagohen”, thanë nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor.

Më 30 shtator kryeministri Hristijan Mickoski tha se formimi i familjes, si dhe formimi i një familjeje me më shumë fëmijë është akti më i lartë patriotik për një popull, për atdheun e vet, pavarësisht nga përkatësia fetare apo etnike. Në një aktivitet mbi trendet demografike që atëkohë u mbajt në Qeveri ai tha se “nëse duam të kemi një shtet, atëherë familja është përgjigja për këtë sfidë”. U promovua edhe programi pesëvjeçar që do të zbatohet nga Qeveria dhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) për recesionin demografik. Në vitin 1950 Maqedonia ka pasur mbi 50 mijë foshnje të porsalindura. Në vitin 2024 do të ketë 16 mijë foshnje të porsalindura, tha atëkohë Kryeministri.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More