Shkup, 1 maj – Duket se integrimi i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian ka mbetur temë e harruar. Ndryshe nga e kaluara, për këtë çështje shumë pak flasin krerët shtetëror të vendit. Edhe pse kjo ishte çështja kyçe në të kaluarën dhe ndryshimet kushtetuese priteshin të ndodhin shumë shpejt, kjo temë është lënë dytësore. Por, ndryshe nga vendi ynë, shtete tjera të rajonit po punojnë me hapa të shpejtë drejt integrimit.
Shqipëria e Mali i Zi deri në vitin 2027 bëhen pjesë e BE-së
Komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, ka deklaruar se Shqipëria mund të përfundojë negociatat e anëtarësimit në BE brenda dy vitesh, dhe se prioritet i saj është që të pranohen sa më shumë vende nga Ballkani Perëndimor.
“Për ne do të jetë dështim, nëse brenda mandatit aktual të Komisionit Europian nuk arrijmë të pranojmë asnjë vend të ri në BE. Jam e bindur se mund ta pranojmë Malin e Zi, vend me të cilin kemi hapur të gjitha kapitujt dhe kemi filluar t’i mbyllim ato, një proces që mund të përfundojë deri në fund të vitit 2026. Nga pikëpamja teknike, ne mund t’i përfundojmë negociatat me Shqipërinë deri në fund të vitit 2027. Pastaj, shtetet anëtare do të vendosin nëse këto dy vende do t’i bashkohen familjes sonë evropiane”, tha Marta Kos.
Komisionarja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se normalizimi i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë është parakusht që Kosova të mund të marrë statusin e vendit kandidat dhe të nisë procesin e anëtarësimit në BE. Kosova aplikoi për anëtarësim në BE më 15 dhjetor të vitit 2022, dhe tani ajo mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk e ka ende statusin e vendit kandidat.
Ajo tha se është shumë e rëndësishme që qeveria e ardhshme e Kosovës të plotësojë disa parakushte “që duhet të pëmbushen”, pa përmendur se cilat janë ato.
Serbia mes Moskës e Brukselit
Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos, ka paralajmëruar të mërkurën se Serbia do ta ketë të vështirë të mbetet në binarë drejt anëtarësimit në BE, nëse presidenti i saj, Aleksandar Vuçiq, e viziton Moskën javën e ardhshme.
Vuçiq ka thënë se do të marrë pjesë në paradën e Ditës së Fitores më 9 maj dhe se do të takohet me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në Moskë, për herë të parë që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Kremlini.
Serbia nuk ka pranuar t’i bashkohet Brukselit në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë, pasi ajo e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Presidenti bullgar Rumen Radev thotë se nuk do të bëjë lëshime ndaj Maqedonisë
Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev ka saktësuar se në takimin midis tij dhe Presidentit të Këshillit Evropian Antonio Kosta u diskutua tema e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
“Nuk po flasim fare për lëshime. Një fjalë e tillë nuk ekziston në fjalorin tim, në lidhje me Republikën e Maqedonisë së Veriut. E kuptoj plotësisht Presidentin e Këshillit Evropian, sepse ai dëshiron që integrimi i Ballkanit Perëndimor të përshpejtohet. Sidomos në kushte të trazirave gjeopolitike. Nga ana tjetër, ajo që ai merr nga unë si një qëndrim shumë të qartë, ky proces integrimi duhet të jetë i qëndrueshëm dhe i pakthyeshëm. Ai duhet të bazohet në respektimin e parimeve themelore demokratike të Bashkimit Evropian dhe kritereve të Kopenhagenit për anëtarësim. Republika e Maqedonisë së Veriut ka detyrime të qarta të përshkruara në kornizën negociuese dhe protokollet e saj. Ato thjesht duhet të përmbushen”, thotë Radev. Ai shpreson që Maqedonia do të bëjë ndryshimet kushtetuese për të filluar negociatat me BE-në.
Maqedonia e gatshme për integrim të përshpejtuar në BE
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, prej dy ditësh po merr pjesë në Kongresin e Partisë Popullore Evropiane në Valencia. Partia Popullore Evropiane aktualisht përfaqëson familjen politike më të fuqishme dhe me ndikim në Evropë.
Mickoski tha se procesi i anëtarësimit në BE duhet të bazohet në meritë dhe reforma, me kritere të qarta. Ky nuk është një favor që jepet arbitrarisht, por më tepër një njohje e drejtë e përpjekjeve dhe reformave.
“Projekti evropian premton barazi, drejtësi dhe mundësi – por, ndonjëherë, ne përjetojmë një realitet të ndryshëm. Populli ynë, qytetarët krenarë maqedonas që unë përfaqësoj, e kanë ndjerë nga afër peshën e standardeve të dyfishta. Standardet që dëmtojnë besimin, zvogëlojnë entuziazmin dhe rrezikojnë të dobësojnë vetë frymën evropiane që ne përfaqësojmë”, tha Kryeministri.
Mickoski theksoi se kombi maqedonas ka bërë sakrifica dhe reforma të rëndësishme, i përkushtuar fort në rrugën tonë evropiane.
“Integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian nuk është thjesht një akt bamirësie – është një imperativ strategjik. Siguron paqe, stabilitet dhe siguri jo vetëm për rajonin tonë, por edhe për të gjithë Evropën. Procesi i pranimit duhet të mbetet i bazuar në meritë, i udhëhequr nga kritere të qarta dhe vlerësime transparente. Ky nuk është një favor i dhënë arbitrarisht, por më tepër një njohje e drejtë e përpjekjeve dhe reformave, tha Mickoski.
Duke vajtuar në Bruksel, nuk arrihet asgjë
Politika e VMRO DPMNE-së vazhdon me avazin e vjetër se nuk do të ndryshojnë asnjë qëndrim sa i përket interesave kombëtare maqedonase. Kjo ka kuptim dhe shqiptarët kanë treguar durim dhe mirëkuptim në këtë proces, por duke pasur përvojën me Greqinë, politika maqedonase duhet ta kuptojë se duke vajtuar çdo ditë në Bruksel nuk ka zgjidhje. BE-ja ka rregulla të qarta dhe çdo mospërmbushje e tyre, do të thotë bllokim. Bullgaria i ka bërë të qarta kërkesat e saja dhe nuk do të ketë tërheqje. Andaj, Mickoski duhet sa më shpejtë të mendojë rreth anëtarësimit dhe most ë mbetemi çdoherë si shteti i fundit që na tërheqin zvarrë fqinjët.
Maqedonia e Veriu dikur ishte lider në rrugën drejt BE-së, por tani është bashkë me Bosnjën e Kosovën.
Nëse kryesia maqedonase mendon se s’ka nevoj të hyjmë në BE sepse BE-ja do të shkatërrohet, kjo është politika më e pakuptimtë që dëgjohet në qarqet e ndryshme. Para se t’i shesim mend Evropës se janë duke gabuar me neve, duhet t’i biem kokës tonë e të kthjellemi se çdo minutë i humbur është katastrofë për Maqedoninë e Veriut.
