Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se gjatë kësaj jave do të fillojnë komunikimin dhe bisedat për qeverinë qendrore, duke theksuar se Kosovës i duhet një mandat i qeverisë në krye me partinë që ai drejton, raporton Ekonomia Online.
“Dita e fundit kur do të mund të mbahet seanca e Kuvendit është 26 tetori, këto dite jemi të përqendruar në analizën e rezultateve lokale. Shumë shpejt në këtë javë do të fillojmë komunikimin dhe bisedat për qeverinë qendrore. Kosovë i duhet edhe një mandat i qeverisë tonë, i duhet një mandat i ri i qeverisë sonë. Neve na duhet një mandat i ri në përputhje me rezultatin e 9 shkurti sivjet, por gjithashtu edhe unë si kryeministër në detyrë kam hyr në muajin e shtatë të vitit të 5-të të mandatit të plotë katër vjeçar dhe duhet të kemi një mandat të rregullt i cili padyshim do të fillojë porsa ne ta nxjerrim në seancë kuvendi përbërjen e re të Qeverisë Kurti 3”, tha ai.
Sa i përket një seance me 26 tetor, ai tha “në momentin që ne konsiderojmë që komunikimi dhe bisedat kanë rezultuar të suksesshme ne pa vonesa nuk e presim 26 tetorin, or 26 tetori është afati i fundit”.
Kurti është rezervuar të flas për mundësinë e koalicioneve.
“Komunikimi dhe bisedat që do të zhvillojmë, janë ato që do ta përcaktojnë përbërjen e shumicës së re në Kuvendin e Republikës që do ta votojë Qeverinë Kurti 3. Tash për tash duhet të ia lëmë kohen komunikimeve dhe bisedave që do të zhvillohen dhe unë nuk mund të flas më shumë se kaq në këtë fazë”, tha Kurti.