Deputetja e Partisë Socialiste, njëherazi zv/kryetare e Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, Evis Kushi u shpreh sot se Shqipëria ka bërë progres të qëndrueshëm në forcimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut me fokus në barazinë gjinore, mosdiskriminimin, gjithëpërfshirjen dhe respektin për dinjitetin njerëzor.
Nga punimet e takimit të 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri – Bashkimi Evropian, ku po zhvillohen punimet e Sesionit II, Kushi tha se në gjashtë muajt e fundit, Shqipëria ka ndërmarrë një sërë reformash duke ndërthurur legjislacionin bashkëkohor, platformat digjitale si edhe një sërë mekanizmash që mbrojnë pronarët, por edhe e përafrojnë vendin me standardet më të mira të BE-së.
“Në mars të këtij viti, Kuvendi miratoi rishikimin e ligjit “Për të drejtat mbi pasuritë e paluajtshme”, i cili është në përputhje me legjislacionin e BE dhe qartëson kriteret e pronësisë. Një paketë ndryshimesh në Kodin e Procedurës Civile ka hyrë në fuqi në janar të këtij viti dhe ka shkurtuar kohën e ekzekutimit të vendimeve që lidhen me pronën nga 180, në 120 ditë. Në prill të këtij viti, Qeveria përditësoi ligjin “Për shpronësimet”. Një zyrë e dedikuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mbi tokën është pranë Ministrisë së Drejtësisë, ku 85% e ankesave janë trajtuar brenda 60 ditëve, duke u ofruar pronarëve një zgjidhje të shpejtë”, tha Kushi.
“Sa i takon digjitalizimit, ASHK e ka shtrirë portalin online edhe në 15 bashki të tjera të vendit duke e çuar mbulimin digjital në 70% në të gjithë territorin. Për të mbrojtur gratë dhe grupet vulnerabël për marrjen e titujve të pronës, ASHK në maj të këtij viti prezantoi procedura të thjeshtuara për gratë e veja, ku nga të dhënat që vijnë nga Korça, ka 40% më shumë tituj të pronave me bashkëpronësi për këto gra”, vijoi ajo.
Deputetja Kushi u ndal edhe tek të drejtat e pakicave, ku tha se Shqipëria ka ndërmarrë shumë reforma gjithëpërfshirëse dhe strategjike për të mbrojtur dhe integruar të drejtat e pakicave në institucionet publike dhe qytetare.
“Në dhjetor të vitit 2024, Qeveria miratoi tre vendime që krijojnë detyrime për mbrojtjen e pakicave në nivel qendror dhe vendor. Në bashkitë ku pakicat kombëtare bëjnë mbi 20% të popullsisë, autoritetet kanë vepruar shumë shpejt për të integruar shërbimet dygjuhëshe dhe sportele ndihme me nëpunës civilë që flasin shqip dhe gjuhën përkatëse të pakicës”, tha Kushi, ndërsa cilësoi se skema e granteve “Diversiteti na bashkon” ka mbështetur 12 projekte komunitare me ndikim të lartë në Tiranë, Korçë, Shkodër, Gjirokastër dhe Dibër.
“Shqipëria është e vendosur të shtojë përpjekjet dhe forcojë mekanizmat që të drejtat e pakicave të zhvillohen sa më shpejtë”, pohoi Kushi.
 
			        
 
			        