Lamallari: Të respektohet raportimi në Kuvend i institucioneve të drejtësisë

nga D. V.

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari kërkoi sot në seancën plenare që të respektohen institucionet e drejtësisë kur raportojnë në Kuvend.

Duke iu referuar raportimit të kryetares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë në seancën e sotme, por edhe në seancën e së hënën kur raportuan prokuroi Përgjithshëm dhe drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, SPAK dhe kryetari i KLGJ, Lamallari tha se, “drejtësia fillon në radhë të parë nga respekti që ne tregojmë ndaj atyre që ne ftojmë këtu dhe i dëgjojmë”.

Duke evidentuar se salla e Kuvendit ishte bosh gjatë raportimit, Lamallari tha se, kjo nuk është në nderin e parlamentit.

“Thirren këtu, tentohet të bëhet show me ta, tentohet të futen në një debat që ato nuk duhet ta bëjnë sepse nuk jemi me armë të barabarta dhe nuk është aspak në nderin e këtij Kuvendi, që ose ftoje dhe dëgjoje deri në fund dhe mos komento mbi komentet e tyre ose shikoni formulën në mënyrë që debatin politik ta bëni këtu brenda”, tha Lamallari.

Kjo, shtoi ministri, “në respekt të punës së gjithsecilit dhe atributeve që ne me ligj iu kemi dhënë atyre”.

Lamallari reagoi edhe lidhur me pyetjet e bëra nga deputetët, duke sqaruar se, “Udhëzimi për Metodologjinë e mbledhjes së të dhënave statistikore kombëtare të sistemit të drejtësisë është miratuar, ashtu siç kemi marrë angazhimin karshi Komisionit Evropian”.

Gjithashtu, theksoi Lamallari, “lidhur me Regjistrin Elektronik të Dokumentacionit për Çështjet pronësore, puna po ecën shumë mirë. Nuk ka kurrfarë shtyrje të afatit të dakordësuar me Komisionin Evropian, i cili është qershor 2026”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More