Shkup, 24 shtator – Çështja e uniformave të reja të policisë ka zbuluar edhe një herë tensionin e vjetër mes ligjit dhe praktikës, mes premtimeve për barazi dhe realitetit diskriminues. Vendimi që uniformat e policisë të jenë vetëm në gjuhën maqedonase nuk është një çështje e thjeshtë teknike apo tenderash, por një test serioz për funksionimin e shtetit multietnik, për respektimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe për dinjitetin e qytetarëve shqiptarë. Nuk është më çështje që BDI akuzon e VLEN arsyetohet kjo çështje duhet të shihet përtej interesave të ngushtua partiake, shkruan Zhurnal.
Uniformat e policisë pasqyrë e diskriminiit, VLEN nuk duhet të heshtë –
Uniforma e policisë nuk është vetëm rrobe pune. Ajo është fytyra e shtetit në rrugë, simbol i autoritetit dhe i barazisë para ligjit. Kur ligji kërkon dygjuhësi dhe Qeveria zgjedh njëgjuhësi, kjo nuk është vetëm shkelje ligjore, por mesazh i qartë politik barazia është relative, e drejtë e pakicave vetëm sa për propagandë, jo sa për realitet.
Ky vendim, në vend që të krijojë besim dhe përfshirje e forcon perceptimin se shqiptarët trajtohen si qytetarë të dorës së dytë. Dhe ky është thelbi i diskriminimit institucional.
BDI me të drejtë e cilëson këtë vendim si skandal dhe shkelje flagrante të ligjit për përdorimin e gjuhëve. Por në të njëjtën kohë, indinjata e saj e vonuar e bën pyetjen e pashmangshme ku ishte kjo forcë politike kur në vite të tëra ka pasur vendime të ngjashme? A nuk është edhe heshtja në pushtet pjesë e këtij kompromisi të gjatë me diskriminimin?
Në anën tjetër, VLEN dhe MPB premtojnë respektim të ligjit, duke relativizuar problemin me argumentin se “në uniforma nuk ka ende mbishkrime të shtypura”. Por ky qëndrim, më shumë se shpjegim teknik, duket si shmangie nga thelbi nëse ligji kërkon dygjuhësi, atëherë çdo projekt apo tender duhet të jetë i dizajnuar që nga fillimi me këtë standard.
Ky ping-pong politik mes partive shqiptare nuk i shërben qytetarëve. Përfituesi i vetëm mbetet politika hegjemoniste që e konsideron barazinë si kërcënim, jo si vlerë.
Ligji nuk është opsion është detyrim –
Neni 8, paragrafi 3 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve është i qartë aty ku shqiptarët përbëjnë mbi 20% të popullsisë, çdo institucion shtetëror është i obliguar të përdorë gjuhët zyrtare në mënyrë të barabartë. Nuk ka hapësirë për interpretime selektive, për vonesa apo për gjysmëzgjidhje.
Të pranuarit e një uniformë vetëm në maqedonisht është të pranuarit që ligji mund të shkelet sipas interesit politik të momentit. Dhe ky precedent është më i rrezikshëm se vetë tenderi sepse normalizon diskriminimin.
Në këtë rast, nuk është çështje nëse e denoncon BDI apo e arsyeton VLEN. Çështja është a ka shoqëria mekanizma reale për të detyruar institucionet të zbatojnë ligjin. Nëse e gjithë debati mbetet brenda kornizës partiake, atëherë barazia shndërrohet në kartë elektorale, jo në parim jetësor.
Përgjegjësia e partive shqiptare është e dyfishtë të mos bëhen pjesë e lojës së relativizimit dhe të mos heshtin përballë shkeljeve. Sepse çdo heshtje e sotme bëhet legjitimizim i diskriminimit nesër. Por, natyrisht që barra kryesore bie mbi VLEN-in si pjesë e pushtetit koalicion që ka mekanizma për të bërë presion vetëm u nevojitet guxim.
Shqiptarët nuk kërkojnë privilegje, por respektim të ligjit dhe dinjitetit. Uniformat me mbishkrime dygjuhëshe nuk janë kërkesë politike, por detyrim ligjor, moral dhe shtetëror. Një shtet që nuk respekton simbolet e barazisë së vet, nuk mund të pretendojë të ndërtojë besim dhe stabilitet afatgjatë.
Prandaj, ky vendim duhet të tërhiqet menjëherë. Uniformat e policisë duhet të pasqyrojnë realitetin multietnik të vendit dhe të jenë dëshmi se ligji zbatohet, jo shkelet. Çdo kompromis në këtë drejtim është kompromis me vetë themelet e barazisë dhe demokracisë. /Zhurnal.mk