Pasditen e së martës, Kryesia e Partisë Socialiste zyrtarizoi gjashtë kandidatët për zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit, për bashkitë Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Cërrik dhe Tepelenë.
Mes emrave të konfirmuar bie në sy Ogerta Manastirliu, aktualisht deputete, e cila do të lërë mandatin për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës. Me largimin e saj nga Kuvendi, vendin do ta zërë Blerina Gjylameti, një figurë me përvojë brenda PS-së dhe në jetën parlamentare.
Gjylameti ka qenë më parë deputete dhe në zgjedhjet parlamentare të fundit ka grumbulluar 6167 vota, duke qenë pjesë e garës së fortë brenda PS-së në Tiranë. Ajo rikthehet në Kuvend në kuadër të respektimit të kuotave gjinore dhe balancës përfaqësuese.