Shkup, 8 korrik – Danimarka aktualisht kryeson Këshillin e Bashkimit Evropian, duke marrë përsipër presidencën e radhës nga data 1 korrik 2025 dhe do ta mbajë atë për pjesën e mbetur të vitit. Presidenca daneze përqendrohet në ndërtimin e një “Evrope të fortë në një botë në ndryshim”, me përparësi që përfshijnë një Evropë të sigurt dhe një Evropë konkurruese dhe të gjelbër, shkruan “Zhurnal.mk”.
Edhe pse Danimarka është një vend që mbështet zgjerimin dhe anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, së fundmi eurodeputeti danez Niels Fuglsang nga grupi i “Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve”, ka thënë se Maqedonia e Veriut duhet t’i dëgjojë kërkesat e Bullgarisë nëse dëshiron të vazhdojë në procesin e pranimit në BE.
Ai ka shtuar se aktualisht ka një propozim francez që pasqyron shqetësimet e Bullgarisë dhe mbart peshë serioze. Në këtë formë, BE-ja duhet të vazhdojë ta dëgjojë Bullgarinë, përfshirë edhe kur bëhet fjalë për Maqedoninë e Veriut. “Gjëja e fundit që duam të krijojmë janë konflikte të rrezikshme politike në komunitetin tonë. Kjo është arsyeja pse mendoj se Maqedonia e Veriut e di dhe duhet të dëgjojë atë që thotë Bullgaria nëse dëshiron të bashkohet me BE-në”, tha Fuglsang.
Eurodeputeti danez thotë gjithashtu se negociatat me Maqedoninë e Veriut nuk do të përfundojnë gjatë presidencës aktuale të BE-së nga vendi i tij dhe do t’i kalohen presidencës së ardhshme të BE-së, e cila do të drejtohet nga Qiproja.
Bullgaria në këtë moment ka një arritje tjetër pozitive e cila është në interes të BE-së, e kjo është Bullgaria po i bashkohet eurozonës më 1 janar 2026, ose thënë ndryshe do ta largojë paranë e saj nacionale dhe do ta pranojë Euron si valutë të saj. Në BE e vlerësojnë shumë lartë këtë veprim si një shenjë përparimi të përgjithshëm dhe një ekonomi të forte që ka Bullgaria.
Ndryshe, Parlamenti Evropian përsërit mbështetjen e tij të plotë për angazhimin e vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm të Maqedonisë së Veriut për t’u bashkuar me BE-në dhe ndryshimet e nevojshme transformuese për të përmbushur kriteret e pranimit, shkruan “Zhurnal.mk”.
Në raportin e eurodeputetit Thomas Weitz, vlerësohet angazhimi i vendit për integrimin evropian, por inkurajon përpjekjet e vazhdueshme për të çuar përpara reformat në përputhje me BE-në, pavarësisht sfidave dhe pengesave që kanë vënë në provë durimin dhe besimin e shoqërisë së Maqedonisë. Draft-raporti i eurodeputetit austriak Weitz pas raporteve të Komisionit Evropian për vendin për vitet 2023 dhe 2024, do të debatohen nga anëtarët e PE gjatë dotës së sotme si pjesë e seancës së kësaj jave në Strasburg.
Dokumenti thekson se vendi ka pasur statusin e kandidatit për anëtarësim në BE që nga viti 2005, se e përfundoi me sukses procesin e shqyrtimit në dhjetor 2023 dhe se aspiratat e qytetarëve për t’u anëtarësuar në Union kanë çuar në përparim në aspektin e demokracisë dhe reformave socio-ekonomike, por procesi i pranimit për fat të keq vazhdon të përballet me vonesa për arsye të ndryshme.
PE nënvizon se pranimi në BE mbetet një çështje vullneti politik në përmbushjen e kritereve dhe zbatimin e angazhimeve të ndërmarra, në drejtim të zbatimit të reformave të nevojshme dhe miratimit të ndryshimeve kushtetuese, thuhet në Draft Raport, duke kujtuar nevojën për të ruajtur vrullin dhe besueshmërinë e procesit të integrimit në BE, shkruan “Zhurnal.mk”.
Por, në dokument thuhet qartë se Maqedonia e Veriut “duhet të zbatojë ndryshimet kushtetuese në mënyrë që të përfundojë menjëherë fazën fillestare të negociatave të pranimit” dhe se autoritetet në Maqedoni “kanë propozuar zgjidhje për ndryshimet kushtetuese që nuk i plotësojnë kushtet e përfundimeve të Këshillit të korrikut 2022”.
Gjithashtu në këtë document thuhet se Këshilli “nuk e përjashton në mënyrë të qartë vendosjen e kushteve të reja të mëtejshme për fillimin e negociatave të pranimit”.
Së fundmi një amendament i përbashkët është paraqitur për këtë nen, i propozuar nga eurodeputetët Andrzej Halicki në emër të Partisë Popullore Evropiane (PPE), Kathleen Van Brempt në emër të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (SD) dhe Dan Barna në emër të grupit liberal “Reneë Europe” (RE), i cili propozon fshirjen e pjesës së tekstit: “duke respektuar plotësisht gjuhën dhe identitetin maqedonas…”.
I gjithë ky debat duket se nuk shkon në dobi dhe interes të Maqedonisë së Veriut, sepse plotika e këtushme, e cila kishte ardhur në pushtet me premtimet se nuk do të lejojë ndryshimet kushtetuese me diktat bullgar, tani është future edhe në një qorrsokak të ri. Presioni është edhe më i madh, tanimë jo vetëm nga Bullgaria, por edhe nga eurodeputetë të shteteve tjera, siç është Danimarka, shkruan “Zhurnal.mk”.
BE-ja dhe deputetët e Parlamentit Evropian, me gjuhë diplomatike i kanë bërë me dije kryeministrit dhe diplomacisë në Maqedoninë e Veriut se kështi siç keni filluar jeni gabim. Ata kërkojnë që të gjitha partitë politike në vend të angazhohen në një dialog konstruktiv me qëllim arritjen e konsensusit të nevojshëm mbi ndryshimet kushtetuese, të cilat do të “forconin karakterin multietnik të vendit dhe do të përshpejtonin progresin e tij drejt anëtarësimit në BE”.
Evropa e thotë qartë se forcimi i lidhjeve midis komuniteteve të ndryshme etnike është “thelbësor për përmirësimin e kohezionit social dhe sigurimin e qeverisjes më efektive”. E thënë me gjuhë të thjeshtë, BE-ja i thotë Maqedonisë së Veriut se nuk do të shkoni askund me frymën nacionaliste, por duhet ta ruani dhe forconi karakterin multietnik të Maqedonisë së Veriut, shkruan “Zhurnal.mk”.
