Të premten paradite u mbajt në Qendrën e Konferencave “Hyeok” në Gyeongju të Koresë së Jugut faza e parë e Takimit të 32-të Ekonomik të Liderëve të APEC-ut. Takimi, i kryesuar nga presidenti i Koresë së Jugut Lee Jae-myung, kishte si temë “Krijimi i një të nesërmeje të qëndrueshme”.
Presidenti kinez Xi Jinping mori pjesë në këtë takim dhe mbajti fjalimin me titull “Ndërtimi i një ekonomie gjithëpërfshirëse dhe të hapur të Azi-Paqësorit”.
Me të mbërritur në vendin e takimit, Xi Jinping-u u prit ngrohtësisht nga presidenti i Koresë së Jugut Lee Jae-myung.
Në fjalimin e mbajtur në takim, kreu i shtetit i Kinës vuri në dukje që, për më shumë se 30 vjet që nga themelimi i tij, APEC-u e ka udhëhequr rajonin e Azi-Paqësorit në pararojë të zhvillimit të hapur global, që nga hartimi i planit për Zonën e Tregtisë së Lirë të Azi-Paqësorit deri te promovimi i ndërtimit të Bashkësisë së Azi-Paqësorit, duke e ndihmuar Azi-Paqësorin të bëhet rajoni më dinamik në ekonominë botërore. Aktualisht, tha Xi, bota po përjeton një transformim që ndodh një herë në një shekull me një ritëm të përshpejtuar, situata ndërkombëtare po bëhet më e trazuar e më komplekse dhe zhvillimi i rajonit të Azi-Paqësorit po përballet me faktorë më të shumtë paqëndrueshmërie e pasigurie. “Sa më të trazuara të jenë kohërat, aq më shumë duhet të qëndrojmë së bashku. Duhet t’i qëndrojmë me këmbëngulje misionit fillestar të APEC-ut për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të përmirësuar mirëqenien e njerëzve, për të mbështetur parimin e ndarjes së mundësive dhe për të arritur përfitimet e përbashkëta nëpërmjet zhvillimit të hapur, për të çuar përpara globalizimin ekonomik gjithëpërfshirës dhe për të ndërtuar një Bashkësi të Azi-Paqësorit,” u shpreh ai.
Ai paraqiti edhe pesë propozime që lidhen me avancimet e mëtejshme zhvillimore të këtyre vendeve nepërmjet një komunikimi të hapur e bashkëveprues.
 
			        
 
			        