Biznesmeni Abdulkadir Kart, drejtues i kompanisë turke “A S L İNŞAAT” që realizoi tunelin e Llogarasë, rezulton se është një nga investitorët turq më të preferuar nga presidenti Rexhep Tajip Erdogan dhe i rekomanduar prej tij në të gjitha vendet mike të Turqisë.
Është pikërisht kjo kompani që ndërtoi për 33 muaj tunelin e Llogarasë, një nga veprat më strategjike të jugut, duke ofruar 170 miliardë lekë, nga 180 miliardë që dha një kompani shqiptare dhe 185 miliardë që ofruan kinezët.
Ky detaje interesant del dhe në dosjen e SPAK për tunelin e Llogarasë, e cila ka rrjedhur e fragmentarizuar në media, ku bie në sy fakti se turqit e “A S L İNŞAAT” kanë qenë rekomandim i Presidentit Erdogan për realizimin e kësaj vepre të rëndësishme në jug të vendit.
Turqit e “INTEKAR” i kanë njoftuar autoritetet shqiptare pas shpalljes së tenderit ndërkombëtar se kishin bërë një bashkim shoqërish me “A S L İNŞAAT” dhe ajo kishte eksperiencë në ndërtimin e autostradave, sepse kishte ndërtuar dy të tilla në Turqi.
“Kjo eshte nje shoqeri qe ka ndertuar nje tunel autostrade 2x 14 km ne Turqi, dhe eshte gjithashtu nje shoqeri qe Presidenti e njeh, e vlereson dhe e perdor si reference”, thuhet në mesazhin që tregon qartë se pjesëmarrja e biznesmenit Abdulkadir Kart ka qenë porosi e vet presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.
Pra, ndryshe nga çfarë aludohet se gara ka qenë e paracaktuar apo se turqit janë përzgjedhur para se të shpallej tenderi, komunikimet tregojnë një anë tjetër të historisë; “A S L İNŞAAT” ka ardhur në Shqipëri me porosi dhe si ndërtues i besuar i presidentit të Turqisë.
Madje, në një fotografi të siguruar nga newsbomb.al, shihet se Abdulkadir Kart qëndron krah presidentit Erdogan në takimet e tij ndërkombëtare dhe ai e referon atë tek të gjithë homologët dhe liderët e vendeve që kërkojnë të realizojnë vepra strategjike.
Sipërmarrësi turk ecën krah presidentit të vendit të tij dhe atij të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev. Firmën e Abdulkadir Kart e mbajnë dhjetëra superprojekte të nisura nga kompania e tij e parë “ASL” në vitin 1996, kryesisht në Turqi, por edhe në shtete të tjera.
Njohja e tij me Rexhep Tajip Erdogan ka qenë shumë e hershme, që para viteve 2000 kur presidenti turk sapo kishte dalë nga burgu dhe askush nuk i qëndronte pranë. Puna si inxhinier dhe veprat në të cilat Abdulkadir Kart kishte marrë pjesë, kur ishte ende shumë i ri, e afruan atë me Erdogan për të ecur për dekada me radhë në të njëjtën rrugë.
Më poshtë, mesazhi i turqve që ndërtuan Tunelin e Llogarasë:
“I përkthyer në shqip mesazhi thotë: “INTEKAR YAP! TUR.ELEKTINSSAN. dhe TIC. LLC. si shoqeri, punimet dhe dokumentacioni yne per tenderin e tunelit te Llogarase jane perfunduar ne nivelin 95%, dhe studimet tona te kostove vazhdojne. Ne kemi krijuar nje bashkim shoqerish (joint venture) duke perfshire shoqerine ASL INS TAAH. VE SAN. TİC.LTD. STI me ne.
Kjo eshte nje shoqeri qe ka ndertuar nje tunel autostrade 2x 14 km ne Turqi, dhe eshte gjithashtu nje shoqeri qe Presidenti e njeh, e vlereson dhe e perdor si reference.
Si perfaqesuesit tane ne Shqiperi, ashtu edhe avokatet tane ne Shqiperi, po vazhdojne punen dhe negociatat me znj. Arta ne lidhje me tenderin. Ne seline tone ne Ankara, inxhinieret tane po perfundojne dokumentacionin per tenderin dhe po vazhdojne studimet e kostove.
Perveç kesaj, me 18.08.2021, menaxheret e shoqerise dhe inxhinieret tane nga Turqia do të vijne ne Shqiperi per te pare trasene dhe vendin ku do te ndertohet tuneli, si dhe per te finalizuar detajet. Si shoqeri, ne do te jemi plotesisht gati per tenderin e tunelit e Llogarase perpara dates se tenderit. Me respekt.”
