Minatorët e Spaçit u mblodhën sot në një protestë para Kuvendit të Shqipërisë, duke kërkuar mbështetje për plotësimin e kërkesave të tyre ndaj kompanisë “Tete Albania”, për kushte më të mira pune dhe nënshkrimin e kontratave kolektive.
Që prej datës 13 tetor, minatorët e minierës së bakrit në Spaç kanë ndërprerë punën dhe janë në grevë pa afat.
Ata kërkojnë përmirësimin e kushteve të punës, rritjen e pagave dhe shpërblimeve, rishikimin e normave, si dhe vendosjen e standardeve europiane në marrëdhëniet e punës, me fokus në sigurinë, organizimin dhe përfaqësimin e lirë kolektiv.
Protestuesit deklaruan se nuk do të tërhiqen nga veprimet e tyre deri në marrjen në konsideratë të kërkesave nga institucionet përkatëse.
Sipas tyre, kompania “Tete Albania”, që administron minierën e bakrit, nuk e ka njohur ende sindikatën e krijuar në muajin gusht dhe nuk ka pranuar të hyjë në dialog për një kontratë kolektive pune.
Protestës së minatorëve u janë bashkuar dhe pensionistët, që kërkojnë vëmendje më të madhe nga qeveria për shqetësimet dhe hallet e tyre.
Deputetja Jorida Tabaku i bashkohet protestës së minatorëve të Spaçit
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, iu bashkua sot protestës së minatorëve të Spaçit.
Gjatë fjalës së saj, Tabaku i siguroi minatorët se do të rikthejë në vëmendjen e Parlamentit nismën e saj ligjore “Për statusin e minatorit”, e depozituar më herët, por e refuzuar, sipas saj, nga mazhoranca.
Tabaku përcolli edhe në seancën e Kuvendit shqetësimin e minatorëve.
“Në emër të Partisë Demokratike kam depozituar në sesionin e kaluar projektligjin “Për statusin e minatorit, të cilin qeveria refuzoi ta marrë në shqyrtim. Do ta ridepozitoj përsëri, sepse është e rëndësishme të mbështeten se minatorët janë grupi që penalizohen më shumë, që punojnë në kushte shumë të vështira. Nëntoka shqiptare është e pasur dhe është absurde që ata njerëzit që punojnë nëntokë të vazhdojnë të shfrytëzohen”, deklaroi pas takimit me minatorët, në fjalën e saj në seancën plenare të Kuvendit, deputetja Tabaku.
Tabaku i kërkoi Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit të presë një përfaqësi të minatorëve për t’u dhënë zgjidhje çështjeve të ngritura prej tyre për kushte dinjitoze pune.
Deputetja denoncoi gjithashtu trajtim çnjerëzor ndaj minatorëve gjatë një proteste të mëparshme, ku sipas saj, Policia e Shtetit kishte ushtruar dhunë. Për këtë, ajo kërkoi një reagim nga Ministrja e Brendshme.
“E drejta për punë është e drejtë e shenjtë në këtë vend. Nuk mund të lejojmë që një kompani private t’u pengojë atyre të drejtën për t’u organizuar, për të pasur kërkesat e tyre dhe për të protestuar për më shumë të drejta. Minatorët janë një grup që penalizohen më shumë, që punojnë në kushte të vështira dhe shpesh shfrytëzohen”, shtoi ajo.
 
			        
 
			        