Ministri ukrainas i Drejtësisë, German Galushchenko është pezulluar nga detyra pas kontrolleve të zhvilluara në kuadër të një hetimi për korrupsion që lidhet me kompaninë shtetërore bërthamore ”Energoatom”, njoftoi sot kryeministrja Yulia Svyrydenko.
”Sot në mëngjes zhvilluam një mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë. Vendosëm të pezullojmë German Galushchenkon nga ushtrimi i detyrës së ministrit të Drejtësisë”, tha Svyrydenko në një deklaratë.
”Sipas vendimit të qeverisë, ushtrimi i detyrave të ministrit i është besuar zëvendësministres së Drejtësisë për Integrimin Evropian, Liudmyla Suhak”, theksoi ajo.
Banesa dhe ambientet e lidhura me Galushchenkon, i cili më parë ka shërbyer si ministër i Energjisë, u kontrolluan dje në kuadër të një hetimi për ryshfete të dyshuara gjatë ndërtimit të strukturave mbrojtëse rreth objekteve energjetike për t’i mbrojtur ato nga sulmet ajrore ruse.
