Shkup, 17 korrik – Në Bruksel u mbajt takim në të cilin morën pjesë Sekretari shtetëror i Ministrisë së Transportit, Stefan Vollkanovski, drejtori i NP Hekurudhat Infrastruktura, Sinisha Ivanovski, zëvendësministri bullgar i Transportit dhe Lidhjeve, Ljuben Nanov, ndërkaq në organizim të Valentina Superti, drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë për zgjerim dhe Fqinjësi lindore (DG ENEST).
Në takim, siç kumtoi Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, i cili u mbajt në atmosferë pozitive dhe konstruktive, si vazhdim i takimit të fundit në tetor 2024, u këmbyen mendime dhe u konfirmua përkushtimi dhe nevoja drejt finalizimit të pjesës nga korridori hekurudhor VIII.
Të dyja palët biseduan për përparimin që është arritur në muajt e fundit dhe u dakorduan për nevojën e riprëtëritjes së përpjekjeve për përgatitje të studimeve dhe tenderit për përfundim të pjesëve tejkufutare të korridorit, me theks të veçantë në zgjidhjen e tuneleve.
Në takimin e nivelit të lartë u dakorduan hapat në muajt në vijim, me ç’rast u identifikuan prioritetet mes të cilave edhe shpallja e sërishme e tenderit për punët e pjesës hekurudhore mes Kriva Pallankës dhe hyrjes në tunelin tejkufitar deri në fundf të vitit 2025 nga ana e Maqedonisë.
Nga Ministria theksojnë se është biseduar edhe për aktivitetet nga pala bullgare dhe aktivitetet që i ndërmarrin në pjesën e hekurudhës.
Lidhur me projektin e përbashkët për ndërtimin e tunelit tejkufitar mes Gjushevës dhe Deve Bairit, të dyja palët u dakorduan të formojnë grupe të punës të cilat deri në fund të korrikut do ta finalizojnë tekstin e Marrëveshjes ndërqeveritare me qëllim që të konstatohen obligimet e të dyja palëve për aspektet teknike, financiare, ndërtimore dhe operative.
Gjithashtu, u bisedua për përmbajtjen dhe nënshkrimin e marrëveshjes këtë vjeshtë me çka do të hapej rruga për fillim të punëve ndërtimore në fillim të vitit 2026.
Të dyja palët u dakorduan të vazhdojnë me aktivitetet për ndërtimin e tunelit tejkufitar, i cili do të ndërtohet në pajtim me projektin ekzistues teknik të parashtruar nga ana e Maqedonisë.
Të dyja palët u obliguan t’i hulumtojnë mundësitë më adekuate për aplikim të përbashkët për financim nga BE-ja apo nga institucionet financiare partnere për ndërtim të përbashkët të tunelit.
Banka investuese evropiane e cila gjithashtu ishte pjesë e takimit e ofroi gatishmërinë e vet për të ndihmuar në diskutimet teknike dhe të ndihmojë në procesin e përgjithshëm.
Pjesa lindore e korridorit VIII i ndërlidhë Maqedoninë dhe Bullgarinë dhe është pjesë e Korridorit transportues evropian Ballkani Perëndimor – Mesdheu lindor.
Nisma për ndërtim të këtij korridori, gjithashtu ka mbështetje të fuqishme nga Koordinuesi evropian për korridorin Ballkani Perëndimor – Mesdheu lindor dhe nga Sekretariati i përgjithshëm i Asociacionit transportues, të cilët gjithashtu morën pjesë në takim, kumtojnë nga Ministria.