Shkup, 16 shtator – Maqedonia e Veriut kohëve të fundit është goditur nga tragjedi të ndryshme me zjarre. Thuajse s’ka ditë që nuk dëgjon se ka shpërthyer një zjarr, qoftë deponi, qoftë magazinë, qoftë fabrikë, qoftë djegie të veturave, djegie të gomave dhe gjithçka e mundshme vetëm digjet. Kjo ka shkaktuar rritje të ndotjes së ajrit dhe thuajse gjithkund vjen era djegie dhe shkrumb, shkruan “Zhurnal.mk”.
Por, ndotja e mjedisit është ndotje e burimeve natyrore si rezultat i aktiviteteve njerëzore dhe prishje e ekuilibrit natyror. Në fusha të ndryshme si ajri, uji, toka, ndotja rezulton negativisht në shëndetin e gjallesave dhe në funksionimin e ekosistemit. Ndotja e mjedisit kërcënon jo vetëm shëndetin e njeriut, por gjithashtu shkakton dëme serioze në bimësi, kafshë dhe burime ujore.
Shkaktarët kryesorë të ndotjes së mjedisit përfshijnë aktivitetet industriale, përdorimin e karburanteve fosile, kimikatet e përdorura në bujqësi, shpyllëzimin, depozitimin e parregullt të mbetjeve dhe urbanizimin, por mbi të gjitha edhe mos respektimin e rregullave për mbrojtje nga zjarret.
Faktorë të tillë si tymi, gazrat e shkarkimit të automjeteve dhe zjarret në pyje prishin ekuilibrin e ajrit në atmosferë dhe shkaktojnë ndotje të ajrit. Mbetjet industriale të përdorura në bujqësi, pesticidet dhe mbetjet shtëpiake ndotin burimet ujore. Kjo ndotje kërcënon burimet e ujit të pijshëm dhe prish ekosistemin ujor.
Prandaj, ka shumë masa paraprake që duhen marrë në nivel individual, social dhe global për të parandaluar ndotjen e mjedisit dhe për të reduktuar ndotjen ekzistuese.
Pikërisht për këtë arsye duhet të bëhet përdorimi i Burimeve të Rinovueshme të Energjisë, menaxhimi dhe riciklimi i mbetjeve, mbrojtja dhe rritja e zonave të gjelbra, parandalimi i shpyllëzimit dhe shtimi i sipërfaqeve të gjelbra është efektiv në luftimin e ndotjes së ajrit. Pemët kontribuojnë në pastrimin e ajrit duke thithur dioksid karboni.
Mbrojtja e burimeve ujore duhet të bëhet duke e parandaluar përzierjen e mbetjeve industriale me burimet ujore, ulja e përdorimit të kimikateve në bujqësi dhe kursimi i ujit janë hapa që mund të ndërmerren për të reduktuar ndotjen e ujit.
Përdorimi i transportit publik duhet të inkurajohet, shtigjet e biçikletave duhet të zgjerohen dhe përdorimi i automjeteve elektrike duhet të rritet. Këto masa do të reduktojnë ndotjen e ajrit të lidhur me trafikun dhe gjurmët e karbonit.
Me rëndësi është edhe rritja e ndërgjegjësimit mjedisor, që konsiderohet një nga hapat më të rëndësishëm për të reduktuar ndotjen. Trajnimi për ndërgjegjësimin mjedisor duhet të organizohet në shkolla, vende pune dhe platforma sociale dhe individët duhet të inkurajohen të marrin një rol aktiv në mbrojtjen e mjedisit, shkruan “Zhurnal.mk”
Të gjitha këto masa të lartpërmendura duhej me kohë të bëheshin nga shumë ministra që kanë drejtuar ministrinë e ekologjisë. Thuajse që nga fillimi, këtë ministry e kanë drejtuar shqiptarët, por fatkeqësisht asgjë serioze nuk është bërë. Prandaj, pyetja legjitime që shtrohet është se nëse ish-ministrat e ekologjisë do t’i kishin zgjidh problemet e mbeturinave, sot nuk do na ndodhnin katastrofa me zjarret! Ajo që po i ndodh kryeqytetit është krim më i madh ndaj njerëzve. Prandaj urgjentisht duhet të merren parasysh masat e lartëpërmendura dhe duhet të kërkohet llogari nga të gjithë ata që e kanë drejtuar me vite këtë ministri.
Në vend se të ishte ministri për kujdesin ndaj ambientit, kjo ministri ishte bërë ministri për dëmtim të ambientit. Pyjet digjeshin, askush s’merrte përgjegjësi, uji ndotej askush nuk dënohej, dimrit digjen goma e veturat e dëmtojnë ajrin, askush nuk ndërmorri asnjë masë. Mëkate kanë të gjithë ata që janë përgjegjës për ndotje dhe helmim të qytetarëve të këtij vendi, shkruan “Zhurnal.mk”.