Nëse s’mbjellim sot do të importojmë krizë nesër!

nga I.A

Shkup, 10 qershor – Investimet në bujqësi janë të duhura dhe ndikojnë drejtpërdrejt në zvogëlimin e urisë së popullit. Me fjalë të tjera, krijohet një garancë dhe stabilitet që vendi jonë mund të qëndrojë në këmbë dhe të mbijetojë edhe në rastë të ndonjë krize më të thellë. Sepse, një gjë duhet ta kuptojmë e deklarojmë troç që bujqësia nuk është luks por është nevojë, shkruan Zhurnal.

Pa bujqësi s’ka as bukë, as shtet –

Në një kohë kur krizat globale kanë dëshmuar se varësia nga importi ushqimor mund të kthehet në kërcënim për vetë mbijetesën e një vendi, investimet në bujqësi nuk janë luks, por domosdoshmëri. Thirrja publike për subvencionimin e traktorëve, e shpallur në kuadër të Programit për Zhvillim Rural 2025, nuk duhet parë vetëm si masë financiare për fermerët, por si pjesë e një vizioni më të gjerë për sigurinë ushqimore dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Nisma e fundit që mundëson mbështetje deri në 600.000 denarë për blerjen e traktorëve të rinj vjen si hap konkret drejt modernizimit të bujqësisë. Por ajo që e dallon këtë masë nga shumë premtime boshe të së kaluarës është qasja e saj praktike, përkrahja shkon vetëm për ata që nuk kanë përfituar më herët, aplikimi lidhet me plane biznesi konkrete, dhe mbështetja fokusohet pikërisht aty ku nevojat janë më të mëdha në mekanizimin e fermave, që sot në shumë raste funksionojnë ende me mjete të vjetruara.

Një vend i vogël si Maqedonia e Veriut, që vuan nga deficit i lartë tregtar dhe i ekspozuar ndaj luhatjeve të çmimeve ndërkombëtare, nuk mund të mbijetojë pa rritur prodhimin vendor. Dhe ky prodhim nuk rritet me fjalë të bukura apo me spote televizive, por me investime të vazhdueshme, me qasje afatgjate dhe me kthimin e dinjitetit të fermerit si shtyllë e ekonomisë.

Në këtë kontekst, veprimet e VLEN-it për të kthyer vëmendjen drejt bujqësisë nuk duhen parë vetëm si arritje partiake, por si shembull se si politika mund të funksionojë për qytetarët – kur ka vullnet. Rritja e buxhetit për bujqësinë, lehtësimi i procedurave për aplikim, vendosja e kriterit të drejtësisë në ndarjen e fondeve janë hapat e duhur që tregojnë se mund të ketë ndryshim kur ka qasje serioze.

Por, puna nuk mbaron me një thirrje publike. Mbijetesa e këtij sektori kërkon ndërlidhje të politikave në më shumë nivele: nga edukimi profesional i të rinjve në bujqësi, te sigurimi i tregjeve, nga garantimi i ujitjes dhe infrastrukturës, te reforma tatimore për t’ua lehtësuar punën prodhuesve. Politikat duhet të jenë të vazhdueshme dhe të mbështeten nga të gjitha nivelet e qeverisjes, përndryshe çdo përpjekje do të mbetet një përjashtim pozitiv në një sistem të rrënuar.

Ajo që sot është investim për një traktor, nesër është domate vendore më lirë për konsumatorin, është grurë që nuk duhet importuar, është një familje fermere që nuk ka nevojë të emigrojë. Prandaj, kjo nuk është thjesht mbështetje për bujqit është një strategji për mbrojtjen e vetë kombit, në një botë gjithnjë e më të pasigurt. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More