Duke nisur nga data 7 tetor, 11 bankat tregtare në Shqipëri do të nisin zbatimin e pagesave ndërkufitare në euro sipas standardeve të SEPA-s (Zona e Pagesave të Vetme në Euro), një hap i rëndësishëm drejt integrimit të sistemit financiar shqiptar në infrastrukturën moderne evropiane të pagesave.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, përmes një videomesazhi në rrjete sociale deklaroi se nga ky mekanizëm i ri, qytetarët dhe bizneset shqiptare do të përfitojnë ndjeshëm në aspektin e shpejtësisë, sigurisë dhe kostos së transferimeve të parasë në euro.
“Me SEPA, dërgesat e parave janë të shpejta, të sigurta dhe më të lira. Ato mund të bëhen kudo në Evropë dhe në çdo kohë,” tha Guvernatori Sejko.
Ai shtoi se aplikimi i SEPA-s do të eliminojë vonesat dhe procedurat e ndërlikuara, duke e bërë më të lehtë dhe më të përballueshme kryerjen e transferimeve ndërkufitare në euro.
“Nuk do të ketë më vonesa, procese të ndërlikuara apo tarifa të larta për transferimet ndërkufitare të euros,” theksoi Sejko.
Përfshirja e Shqipërisë në SEPA përbën një tjetër hap konkret drejt afrimit me standardet evropiane, duke ndihmuar në rritjen e efikasitetit financiar, lehtësimin e tregtisë dhe përmirësimin e shërbimeve bankare për qytetarët dhe bizneset shqiptare.
Praktikisht kjo do të thotë që, transaksionet në zonën SEPA, ku përfshihen 41 vende, 27 vendet e BE-së, 3 të Zonës Ekonomike Evropiane dhe 11 vende të tjera, pagesat do hyrëse dhe dalëse do të kushtojnë me lirë.
Pagesat hyrëse nga SEPA drejt Shqipërisë do të kenë komision maksimal deri në 3 euro, kur kryhen në mënyrë elektronike. Pagesat dalëse nga Shqipëria drejt 41 vendeve të SEPA do të kushtojnë nga 0 deri në 2 euro. Për transaksione me vlerë mbi 100 mijë euro, komisioni nuk do të kalojë 25 euro. Për transferta dalëse me vlerë deri 100 mijë euro, komisioni nuk mund të jetë më i lartë se 0.01% e vlerës.
Përmes SEPA-s, transaksionet ndërkufitare brenda zonës tarifohen njësoj si ato të brendshme, duke eliminuar tarifat shtesë dhe duke reduktuar kohën e përpunimit të pagesave në euro.
Për të kryer pagesa nëpërmjet SEPA, duhet të plotësohen dy kushte kryesore: Dërguesi dhe pranuesi i transferimit duhet të jenë nga vendet anëtare të SEPA dhe transaksioni duhet të kryhet me monedhën euro.
