Shkup, 8 qershor – Ajo që është dukuri negative dhe po ndodhë në vendin tonë është ulja e numrit të lindjeve. Sa më pak lindje aq më pak banorë, sa më pak banorë aq më pak i banueshëm ky vend. Ata që veçse janë në jetë po vendosin të vazhdojnë jetën jashtë vendit. Ndërkaq, ulja e numrit të lindjeve nuk vjen vetvetiu pasi qartazi është shtuar edhe numri i divorceve të shumta te çiftet e reja. E as kjo e fundit nuk vjen vetvetiu pasi ndikojnë faktorë të shumtë të cilët do të përmenden në tekstin në vazhdim. Shqetësuese është që çiftet e shëndosha bëjnë planifikim familjar që të kenë një më së shumti dy fëmijë, e çiftet jo stabile rrugën e shpëtimit e kanë divoricin, Familja është në krizë e kjo shkakton krizë të thellë për shoqërinë, rritja e numrit të divorceve, në një kohë kur numri i martesave është ulur është alarm shqetësues, shkruan Zhurnal.
Statistika për sa i përket numrit të lindjeve dhe divorceve dhe martesave –
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës (ESHS) në tremujorin e parë të vitit 2024, numri i lindjeve është 3632 fëmijë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku numri është zvogëluar për 0.7 për qind. Në tremujorin e parë të vitit 2024 numri i personave të vdekur ka qenë 5199, nga të cilët 8 foshnje që shënon ulje prej 0.6 për qind në krahasim me të njëjtin tremujor të vitit 2023.
Shtimi natyror është negativ respektivisht 1567 që do të thotë se numri i lindjeve është më i ulët se numri i vdekjeve. Numri i martesave në tremujorin e parë nga viti 2024 është rritur për 3.8 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023 dhe është 2488 martesa. Në këtë tremujor janë marrë 597 raporte për martesa të divorcuara.
Më së shumti martesa janë lidhur në Shkup, 617 nga të cilat 123 në Çair, 85 në Saraj, 80 në Gazi Babë, 50 në Karposh, Kisella Vodë dhe Butel… Në brendinë e vendit më së shumti martesa janë regjistruar në Likovë 123, pastaj Kumanovë 92, Zhelinë 73, Kërçovë 72, Manastir dhe Vrapçisht 68, Veles 66, Gostivar 65, Bogovinë 60. Asnjë martesë nuk është lidhur në Debërc, Novaci dhe Vevçan. Nga divorcet e regjistruara 87 janë në Shkup, 44 në Veles, 37 në Kumanovë, 19 në Gjevgjeli, 18 në Manastir.
Shkaqet dhe pasojat e divorceve –
Familja është në krizë e kjo shkakton krizë të thellë për shoqërinë, rritja e numrit të divorceve, në një kohë kur numri i martesave është ulur është alarm shqetësues. Shkaktarët e divorceve janë të shumtë dhe nga më të ndryshmet.
Hapja e shoqërisë, urbanizimi, emigrimi, lëvizjet migratore brenda vendit, liria individuale, rritja e pavarësisë ekonomike të gruas, dukuritë e panjohura më parë si përdorimi i substancave, i lojërave të fatit, përdorimi i alkoolit etj. kanë bërë që martesa të gjendet nën të gjitha këto faktorë. Këto shihen si arsyet kryesore që po çojnë çiftet drejt ndarjes.
“Për shumë njerëz martesa nuk është ajo lidhje partneriteti po aq e domosdoshme sa më parë. Në rast se njerëzit kanë pakënaqësi nga martesa dhe kanë mundësi ekonomike të mira, ata mendojnë se e kanë nuk e kanë të vështirë jetën. Sot nuk më është aq turp sa ka qenë, që të jesh i apo e divorcuar. Shpesh herë divorcet ndodhin sepse tek partneret zhgënjehen pritshmëritë ndaj këtij institucioni, pra kur në martesë ndodh më pak sesa kanë pritur. Në këto 30 vite integrimi në shoqërinë tonë ka ardhur në rënie. Shoqëria në dallim sa ka pas qenë, është e paqëndrueshme, ka ndryshuar dhe ndryshon, urbanizimi dhe lëvizjet e qytetarëve po zvogëlojnë lidhjet shoqërore dhe kjo ka bërë që edhe normat shoqërore të sjelljes të ndryshojnë. Studiuesit kur trajtojnë divorcin përqëndrohen në shumë drejtime si: mosha e lidhurve në martesë, dallimet në të ardhura, dallimet në arsimim, niveli i të ardhurave familjare, mënyra e jetesës para dhe gjatë martesës, shkalla e pranueshmërisë së divorcit nga prindërit dhe nga të afërmit e partnerëve të lidhur në martesë, integrimi, frekuentimi apo shkalla e besimit fetar etj. Duke parë statistikat e gjyqësorit ndër shkaqet që na çojnë ne shqiptarëve në divorc mund të përmendim: dhunën, dallimet në karakter, tradhtia bashkëshortore, vështirësitë ekonomike, kur njëri nuk lind, pëdorimi i substancave të ndaluara etj”, thotë socialogia Entela Binjaku për reportersalbania të përgatitur nga Fjona Çela.
Procesi i zgjidhjes së martesës përtej problematikave të shumta që mbart, përbën një kosto emocionale edhe për fëmijët, të cilët janë ata që vuajnë më së shumti pasojat e të gjitha konflikteve mes prindërve. Fakt shqetësues në këtë situatë është se nënat përgjithësisht ndeshen me mospagesën e pensionit ushqimor nga baballarët, ndërsa këta të fundit jo rrallë herë kanë pengesa në takimet me fëmijët e tyre. Nuk përjashtohen edhe rastet kur prindi ka të deklaruar vetëm pagën minimale dhe jo aq sa paguhet realisht, rastet kur është i papunë apo emigrant që nuk ka asnjë të ardhur të deklaruar. Pikërisht në bazë kë kësaj page, gjykata vendos dhe detyrimin ushqimor, ku në rastet e përmendura më sipër, babai nuk dërgon pagesë për fëmijët, detyrimin ushqimor, dhe rrjedhimisht janë nënat ato që u bie barra të përballojnë të gjitha shpenzimet e fëmijës.
Kushtet ekonomike janë shkak kryesor që i shtyjnë gratë të mos e zgjidhin martesën, por edhe ato që arrijnë divorcin hasin shumë vështirësi e probleme, ku përveçse paragjykohen nga shoqëria apo familja, jo në pak raste mbeten pa punë, pa shtëpi e pa të ardhura të mjaftueshme. Ndaj në thelb, divorci mbetet një proces i vështirë. /Zhurnal.mk
