Osmani viziton fëmijët në Hemato-Onkologji, përcjell mesazh shprese në prag të Vitit të Ri

nga D. V.

Në ditën e fundit të vitit, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka qëndruar për vizitë në repartin e hemato-onkologjisë në Klinikën e Pediatrisë, ku janë duke u trajtuar fëmijë me sëmundje të rënda, për të cilët ajo përcolli mesazhe mbështetjeje dhe solidariteti.

Gjatë kësaj vizite, Osmani u takua nga afër me fëmijët dhe prindërit e tyre, duke vlerësuar forcën dhe përkushtimin që ata po tregojnë në përballje me sfida të mëdha shëndetësore. Ajo theksoi se guximi i fëmijëve dhe dashuria e familjarëve përbëjnë shembull frymëzimi për shoqërinë.

Presidentja vuri në dukje se, ndonëse koha në ambiente të tilla duket se ecën më ngadalë, shpresa mbetet gjithmonë e gjallë dhe e fortë.

“Uroj që viti që vjen të sjellë shëndet, shërim, gëzim dhe mrekulli të vogla e të mëdha për këta fëmijë të jashtëzakonshëm dhe për familjet e tyre”, deklaroi Osmani.

Në një postim në rrjetet sociale, Presidentja përshkroi vizitën si një përvojë të veçantë, duke theksuar se repartet e tilla dëshmojnë se shpresa dhe dashuria janë forca të pazëvendësueshme në procesin e shërimit.

Ajo falënderoi gjithashtu stafin mjekësor për punën dhe përkushtimin e vazhdueshëm në kujdesin ndaj fëmijëve. 

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More