Paketa Fiskale 2026, Komisioni i Ekonomisë miraton ndryshimet për taksat vendore dhe fiskalizimin

nga L. M

Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat ka përmbyllur shqyrtimin dhe miratimin e tre projektligjeve kyçe që përbëjnë shtyllën e Paketës Fiskale 2026.

Në mbledhjen e drejtuar nga kryetarja Milva Ekonomi, dhe me praninë e Zëvendësministrit të Financave, Endrit Yzeiraj, anëtarët e komisionit miratuan nen për nen ndryshimet ligjore që prekin procedurat tatimore, taksat vendore dhe sistemin e fiskalizimit.

Fokusi i parë i mbledhjes ishte projektligji “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”. Relatorja e çështjes, deputetja Antoneta Dhima, prezantoi ndryshimet e propozuara, duke vënë theksin te një dakordësi e arritur me Ministrinë e Financave.

Sipas Dhimës, është bërë një riformulim i rëndësishëm në nenin e fundit të ligjit, i cili lidhet me afatin e hyrjes në fuqi. Ky ndryshim pritet t’u japë kohën e nevojshme subjekteve për t’u përshtatur me rregullat e reja të monitorimit.

Taksat vendore

Në vijim, deputeti Adi Qose, në cilësinë e relatorit, prezantoi dy projektligjet e tjera: ndryshimet në ligjin “Për procedurat tatimore” dhe atë “Për sistemin e taksave vendore”.

Edhe në këto dy nisma, diskutimet u përqendruan te risitë procedurale dhe, ngjashëm me ligjin e parë, u sugjerua dhe u miratua rishikimi i neneve që përcaktojnë datat e hyrjes në fuqi të ndryshimeve.

Pas diskutimeve teknike dhe miratimit nen për nen, Komisioni i Ekonomisë i miratoi të tre projektligjet në tërësi. Tashmë, Paketa Fiskale 2026 është gati për t’iu nënshtruar votës finale në seancën e ardhshme plenare të Kuvendit.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More