Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar interpelancë urgjente me Kryeministrin Edi Rama, në lidhje me vendimin e qeverisë për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese, masën e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres, njëherazi ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku.
Në kërkesën e firmosur nga kryetari i grupit, Gazment Bardhi, thuhet se Kryeministri po vepron si “avokat” i Ballukut, duke paraqitur pretendime në emër të Kuvendit të Shqipërisë pa marrë asnjëherë një mandat apo qëndrim nga vetë Kuvendi.
Opozita i referohet kërkesës së kryeministrit në Gjykatën Kushtetuese, të cilën e cilëson të paprecedentë.
“Një kërkesë e tillë e Kryeministrit të Shqipërisë jo vetëm që është e pabazuar në Kushtetutë, por gjithashtu përbën një ndërhyrje të papërshtatshme në pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe synon çimentimin e kulturës së pandëshkueshmërisë në vend. Në një sjellje normale, në një vend anëtar të NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, Kryeministri duhej të kishte propozuar menjëherë shkarkimin nga detyra të një ministri që është marrë i pandehur për abuzime në disa procedura prokurimi publik, me vlerë miliona euro, dhe kurrsesi nuk mund të sillet si zyrë avokatie për një të pandehur”, thuhet në kërkesë.
Grupi parlamentar i PD-së, argumenton gjithashtu se veprimi i Kryeministrit përbën ndërhyrje të hapur në pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe synon të forcojë kulturën e pandëshkueshmërisë.
“Ai kërkon t’i bëjë presion drejtësisë, me shpresën se do të nxjerrë jashtë binarëve kushtetues vetë Gjykatën Kushtetuese, që ekziston si garanci për kushtetutshmërinë dhe kurrsesi për pandëshkueshmërinë. Është e qartë që kjo lëvizje ka vetëm efekte politike; më saktë është mjet presioni/mesazhi politik dhe nuk synon zgjidhje juridike”, thekson ndër të tjera PD.
GJKKO ka vendosur dy masa sigurie për Ballukun, atë të pezullimit nga detyra dhe ndalimin e lëvizjes jashtë vendit.
