Përfundon investimi në nënstacionin energjetik të Lezhës, i shërben edhe Shëngjinit

nga D. V.

Zëvendëskryeministrja dhe njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku njoftoi sot përfundimin të investimit në nënstacionin kryesor energjetik të qytetit të Lezhës.

Balluku ndau në rrjete sociale pamje nga nënstacioni energjetik i Lezhës, teksa bëri të ditur se, “ky investim fuqizon nënstacionin kryesor të qytetit dhe është një projekt i realizuar nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH)”.

Në kuadër të këtij investimi janë instaluar pajisje bashkëkohore dhe një transformator me fuqi të shtuar, që pritet të sjellin përmirësim të ndjeshëm në cilësinë dhe qëndrueshmërinë e furnizimit me energji elektrike, jo vetëm për banorët e Lezhës, por edhe për zonën turistike të Shëngjinit, e cila tashmë furnizohet me rrjetin 20 kV.

Balluku theksoi se ky projekt është pjesë e planit kombëtar për modernizimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike dhe përgatitjes së infrastrukturës për përballimin e ngarkesave të larta gjatë sezonit turistik dhe jo vetëm.

“Investimet e tilla jo vetëm përmirësojnë jetën e qytetarëve dhe bizneset lokale, por edhe mbështesin zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë në tërësi”, u shpreh Balluku.

Ky projekt vjen si pjesë e një sërë investimesh strategjike që OSSH po zhvillon në të gjithë vendin, me qëllim përmirësimin e shërbimit energjetik dhe rritjen e sigurisë së furnizimit për konsumatorët fundorë.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More