Përmbyllet me sukses faza e aplikimeve në Skemën Kombëtare të Investimeve, 801 kërkesa nga fermerët në të gjithë vendin

nga L. M

Skema Kombëtare e Investimeve 2025 ka përmbyllur me sukses fazën e aplikimeve më 30 shtator, duke shënuar një interes të lartë nga fermerët në të gjithë vendin.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural,  Andis Salla, bëri të ditur nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, se janë regjistruar gjithsej 801 aplikime për 9 masa mbështetëse, të cilat synojnë modernizimin e fermave, rritjen e prodhimit vendas dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale.

Ministri Salla thekson se procesi aktualisht ndodhet në fazën e shqyrtimit administrativ, në përputhje me kriteret dhe afatet e përcaktuara në udhëzimet e skemës, për të siguruar transparencë, korrektësi dhe mbështetje reale për çdo fermer që investon në të ardhmen e bujqësisë shqiptare.

“Angazhimi ynë është të garantojmë transparencë, korrektësi dhe mbështetje reale për çdo fermer që ka zgjedhur të investojë në të ardhmen e bujqësisë shqiptare. Interesi i lartë për këtë skemë është dëshmi e besimit në politikat tona mbështetëse për sektorin rural”, u shpreh Salla.

Skema Kombëtare e Investimeve 2025 ofron një mbështetje financiare prej 20 milionë eurosh, dhe përfshin mbështetje në formën e granteve deri në 50% të vlerës së investimit, kredi të buta me normë interesi 2%, si dhe garanci sovrane për lehtësimin e aksesit në financim.

Fushat e investimit që përfshihen në skemë janë të gjera dhe gjithëpërfshirëse: ndërtimi i serrave diellore, mbjellje të reja me pemë frutore, ullinj dhe vreshta, sisteme moderne ujitjeje, rrjeta mbrojtëse antibreshër, pajisje dhe infrastrukturë për blegtori dhe shpendari, përpunim dhe paketim i produkteve bujqësore, zhvillimi i agroturizmit, si dhe mbështetje për sektorin e akuakulturës.

Pas përfundimit të shqyrtimit administrativ, aplikimet që plotësojnë kriteret do të kalojnë në fazën e vlerësimit teknik dhe përzgjedhjes përfundimtare të përfituesve, në bazë të një renditjeje të drejtë dhe transparente.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural mbetet e angazhuar për të përkrahur fermerët shqiptarë në rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe përmirësimin e konkurrueshmërisë së bujqësisë shqiptare në tregun vendas dhe ndërkombëtar.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More