Pritjet e gjata në Tabanocë dëshmojnë “dembelizmin” qysh në hyrje të vendit!

nga I.A

Shkup, 2 korrik – Në valën e temperaturave të nxehta pritjet e gjata nuk janë vetëm të bezdisshme por edhe të mërzitshme e vështirë të përballueshme. Pikat kufitare ndryshe njihen “pragu i shtetit” e qysh në prag e hyrje të shtetit dëshmohet “paaftësia” e “dembelizmi” i të punësuarve që tallen me qytetarë të shumtë. Akoma pa u futur në sezonën e pushimeve ku gjithë Evropën mund ta shëtitësh të kalosh dhjetra pika kufitare nuk do të duhet të presësh më shumë se sa në Tabanocë të Maqedonisë së Veriut. Duhet të merren masa të menjëhershme të evitohen kolonat e gjata e të përgatitet kjo pikë kufitare për pritjen e fluksit të mërgimtarëve të cilët tashmë fillojnë të vijnë, shkruan Zhurnal.

Pika kufitare në Tabanocë në kaos, kolona të gjata qytetarët duhet të presin gjatë për hyrje në Maqedoninë e Veriut –

Tashmë kur jemi futur në sezonën e veres ku shumë qytetarë nga mërgata kthehen në vendlindjen e tyre në RMV, e një pjesë e madhe edhe kalojnë në këtë shtet tranzit për t’i kaluar pushimet e tyre verore në shtetin fqinjë Greqi, nga kjo kuptohet që pika kufitare Tabanocë është jashtëzakonisht e frekuentuar.

Prandaj, që të lehtësohet kjo verë e ky mot me temeperatura të larta institucionet përgjegjëse me doemos duhet të marrin masa parandaluese që ato kolona të gjata të mos krijohen por të punohet me intenzitet të lartë që kolonat të shkurtohen e fare mos të krijohen.

Për këtë duhet të gjinden modalitete të favorshme që të punësuarve në këtë pikë kufitare t’i ofrohen bonuse të kënaqshme vetëm e vetëm që japin maksimumin e tyre që të mos shndërrohet pika kufitare në një kaos të vërtetë.

Të gjindet një formë lehtësuese për pritjen e mërgimtarëve –

Kemi dëgjuar shumë herë, ankesa pa numër sidomos në pikën kufitare Tabanocë, pika hyrëse e mërgimtarëve në shtetin e tyre, pas një rruge të gjatë ndokush 2 mijë e ndokush 3 mijë kilometra rrugë, duke kaluar shumë kufij e duke pritur pa kufij janë sakrifica që bëjnë qytetarët tanë për të vizituar vendin e familjen. Është më se meritore që maltretimi përgjatë rrugës së tyre të marrë fund në pikën kufitare që ata hyjnë në vendin e tyre.

Praktika që mërgimtarët që vijnë nga jashtë shtetit të mos regjistrohen në organet kufitare do të lehtësonte në mënyrë efikase kalimin e tyre në këtë pikë kufitare, dhe kjo do të ishte një mikpritje meritore nga ajo që këta qytetarë mbushin arkën e shtetit duke lënë para pa kontroll e duke kontribuar në zhvillimin ekonomik, tregtar dhe shoqëror.

Kolonave u shtohet radha edhe më shumë edhe nga qytetarët e vendit që shpesh herë vizitojnë Kosovën, prandaj duhet të mirë mendohet e vendoset për një zgjidhje ideale që do të shërbente në menaxhimin më të mirë të mundshëm të fluksit të qytetarëve në këto pika kufitare.

Lidhja Kosovë – Maqedoni e Veriut nuk është vetëm përmes kësaj pike kufitare, pasi janë edhe dy të tjera, ajo Bllacë – Hani i Elezit, dhe Bellanocë – Stançiq, që e lidhin RMV-në me Kosovën në mënyrë direkte për dallim prej asaj në Tabanocë, që nëpërmjet Serbisë kalohet në Kosovë. Kur po flasim për lehtësime qytetarësh, flasim për të gjithë qytetarët pa dallim por është e rendit që në fokus të jenë mërgimtarët, por jo që qytetarët vendas nuk kanë nevojë për lehtësime të tilla.

Kështu që duke pasur parasysh edhe këta dy pika kufitare të tjera që lidhin dyja vendet, është e rendit që nëpërmjet një marrëveshjeje të bëhet lehtësim po i formatit të ngjashëm edhe për qytetarët vendas, sepse flasim për periudhën e verës kur qarkullimi është i stërngarkuar dhe qytetarët lëvizin për nevoja të ndryshme. Ahengje, vizita, e takime të shumta përshkak se qytetarët e dyja vendeve kanë lidhje të gjata që nuk i shkëpusin dot.

Pra, mos të jenë pikat kufitare e pritjet pa kufij që të distancojnë qytetarët e vendeve, sepse kjo do të ndikonte negativisht edhe më tepër në shtimin e dozës së dëshpërimit dhe zhgënjimit. Fundja, nga vizita të tilla përfitojnë më shumë se qytetarët shtetet pasi asnjë vizitë nuk përfundon pa kontribuar lënë para në cilin do shtet. Dhe, kjo është stimulim edhe për zhvillim ekonomik dhe tregtar. Prandaj, do të ishte absurde për mërgimtarët që kanë ditë të numëruara në pushim të kalojnë një ditë të tërë duke pritur për të dalë nga shteti dhe një ditë tjetër për të hyrë në shtet.

Janë tre pika kufitare, ku në të gjitha qarkullimi është në nivel të lartë, sidomos në pikën kufitare Tabanocë, Serbi – Maqedoni e Veriut, që edhe turistë të vendeve të huaja kalojnë përmes kësaj pike kufitare për të shkuar në Greqi apo të ndalen edhe në Maqedoni të Veriut. Një veprim i tillë është veprim strategjik dhe i duhur e më se i qëlluar sepse përparësitë janë të shumanshme.

Kujtojmë që, mbledhja historike Maqedoni e Veriut – Kosovë ishte ajo e 16 shtatorit të vitit 2021, kur mes dy vendeve u nënshkruan 11 marrëveshje, që kanë të bëjnë me fusha të ndryshme të zhvillimit dhe thellimit të bashkëpunimit mes dyja vendeve, e që në asnjërën prej tyre nuk është paraparë lehtësimi në pikat kufitare. Por, tani 9 muaj më vonë nuk shihet se kanë lëvizur punët në drejtim të realizimit të ndonjërës prej këtyre 11 marrëveshjeve të nënshkruara. Maqedonia e Veriut dhe Kosova ndërlidhen në shumë interesa të përbashkëta dhe se në përputhje me këtë, ekonomitë e të dy vendeve janë të orientuara drejt njëra -tjetrës, por që marrëveshjet e shumta që janë nënshkruar vetëm së fundmi 11 po mbesin vetëm projekte dhe ide në letër, e janë të pa prekshme për qytetarët. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More