Në javën e parë të Programit Kombëtar të Depistimit të kancerit të gjirit, janë kryer 779 mamografi falas.
Kryeministri Edi Rama bëri me dije lajmin, ndërsa ndau pamje nga vizita e ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale, Evis Sala në një nga njësitë e lëvizshme vendosur në sheshin “Nënë Tereza”, në kuadër të Tetorit Rozë dhe muajit të ndërgjegjësimit për shëndetin e grave.
Janë 16 mamografi stacionare e 2 njësi të lëvizshme që ofrojnë shërbimin falas në gjithë vendin. Kryeministri ndau thirrjen për gratë dhe vajzat të kujdesen dhe të bëjnë mamografi falas për depistim të hershëm.
Në të gjithë vendin vijon zbatimi i Programit Kombëtar për Depistimin e Kancerit të Gjirit, duke ofruar mamografi falas për gratë e moshës 40-50 vjeç dhe ato mbi 50 vjeç, të targetuara si grup risku.
Nga ana e saj, ministrja Sala ndoqi nga afër procesin e kryerjes së mamografisë dhe sensibilizimin e grave dhe vajzave mbi kryerjen e kontrollove, si dhe rëndësinë e diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit, për të rritur shanset për trajtim të suksesshëm dhe për të ulur vdekshmërinë nga kjo sëmundje.
Shërbimi i kryerjes së mamografisë ofrohet falas gjatë gjithë vitit në 16 poliklinika dhe spitalet në të gjithë vendin, si dhe në 2 njësitë e lëvizshme të mamografisë.
Përgjatë muajit tetor fashat janë të hapura në çdo spital dhe poliklinikë ku çdo grua mund të kryejë mamografinë në çdo kohë pa sistem referimi vetëm me anë të një mjeti identifikimi.
Aktualisht janë 16 aparatura të mamografisë stacionare që janë të shpërndara përkatësisht në spitalet në Tiranë, Dibër, Durrës, Elbasan, Berat, Korçë, Lezhë, Kukës, Vlorë Gjirokastër, Fier, Lushnje, Shkodër, si dhe 2 njësi të mamografive lëvizëse, të cilat janë në shërbim jo vetëm në tetor, por çdo ditë të vitit.
Mamografitë lëvizëse mundësojnë ofrimin e shërbimit për gratë e përfshira në Programin Kombëtar të Depistimit të Kancerit të gjirit sa më afër vendbanimit për zona të largëta urbane dhe rurale. Ky shërbim sigurohet nga Instituti i Shëndetit Publik në bashkëpunim me Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor dhe Operatorit të Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor duke ofruar ekzaminime depistuese në të gjithë vendin bazuar në një kalendar kryesisht pranë zonave ku nuk ka mamografi fikse.
Në këtë proces janë të angazhuar në total 66 individë si personel mjekësor, të cilët janë çdo ditë në gatishmëri të plotë për të asistuar kryerjen mamografisë dhe kontrollit.