Aktivistë dhe përfaqësues nga shoqëria civile protestuan sot një përpara Parlamentit kundër projektligjit “Për barazinë gjinore”.
Pak përpara nisjes së seancës plenare në Kuvend, ku në rend dite sot parashikohen edhe diskutime mbi këtë projektligj, qytetarë dhe aktivistë të thirrur nga “Koalicioni Shqiptar pro Familjes dhe Jetës” u mblodhën para Kuvendit për ta kundërshtuar duke u bërë thirrje deputetëve që mos ta votojnë.
Me pankarta në duar dhe thirrje pro familjes dhe gjinive binare burrë grua, pastori Akil Pano u shpreh se ky projektligj është një trup i huaj.
“Ky është një trup i huaj. Një kancer që do të shkatërrojë trupin tonë. Nëse ky projektligj do të kalojë atëherë jeni duke shkruar shkatërrimin e familjes, të fëmijës dhe Shqipërisë. Ky është projektligj më i tmerrshëm se sa rrëmbimi i pronës. Flasim për rrëmbimin e fëmijë, rrëmbimin e jetës dhe të copëzimit të strukturës bazë atomike që është martesa mes një burri dhe një gruaje”, tha Pano.
Protestës iu bashkuan edhe kryetari i PD, Sali Berisha dhe disa deputetë të opozitës si Klevis Balliu, Tedi Blushi, Belind Këlliçi, Tritan Shehu etj.
Projektligji “Për barazinë gjinore”, një nismë e qeverisë synon harmonizimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian për të drejtat e njeriut dhe trajtimin e barabartë të grave dhe burrave.
Prej disa kohësh, diskutimet për terminologjinë dhe ndikimin e tij në familjen tradicionale kanë qenë në qendër të debateve publike dhe në komisonet përkatëse ku projektligji është diskutuar.
Sipas mazhorancës, nisma nuk krijon “gjini të reja” dhe nuk cenon familjen tradicionale, por synon vetëm mbrojtjen nga diskriminimi dhe forcimin e barazisë mes burrave dhe grave. Qëllimi i këtij projektligji sipas mazhorancës është forcimi i demokracisë përmes barazisë gjinore, si pjesë e detyrimeve që Shqipëria ka ndaj Bashkimit Evropian duke përmirësuar kuadrin ligjor të vitit 2008 për barazinë gjinore.
Ndërsa, opozita e kundërshton projektligjin “Për barazinë gjinore” duke pretenduar se ky ligj “minon” vlerat e familjes dhe shoqërisë shqiptare. Opozita ka kërkuar që ky projektligj të kalojë me referendum, pra me votën e qytetarëve.
