“Po sikur?”… Një pyetje që na përndjek – ajo që e bën të pamundur ecjen përpara. E gjejmë veten të kapur në një rreth fajësimi, duke përsëritur skenarë në kokë dhe duke pyetur veten nëse mund të kishim bërë diçka ndryshe
Sikur të kishim thënë këtë, vepruar ashtu, apo të ishim më të vëmendshëm, mbase marrëdhënia do të kishte mbetur e paprekur.
Por ja ku qëndron e vërteta: Asnjë sasi e mendimeve “po sikur” nuk do t’ju sjellë paqe. Në fakt, shpesh ndodh e kundërta. Këto mendime ju mbajnë të mbërthyer, të lidhur me një të kaluar që nuk ju shërben më. Dhe kur jemi të mbërthyer në të kaluarën, humbasim mundësinë për t’u shëruar dhe për të ecur përpara.
Si njerëz, kërkojmë sqarim deri në fund të situatave dhe kur një ndarje na lë të pasigurt ose pa përgjigje, kërkojmë mënyra për të mbushur boshllëqet. Edhe nëse mund të përcaktonit pikën e saktë kur gjithçka nisi të shembet, nuk do të ndryshonte rezultatin. Marrëdhënia përfundoi për një arsye dhe kapja pas “po sikur” vetëm sa zgjat vuajtjen tuaj.
Kur përqendrohemi tek “po sikur”, bllokohemi në një rreth të pafundmë pendimi, duke rikujtuar vazhdimisht të kaluarën. Ky lloj mendimi na rrëmben energjinë emocionale dhe na pengon të përqafojmë mundësitë që vijnë me ecjen përpara. Na pengon gjithashtu të shohim vërtet mësimet që na ofron ndarja. Duke u përqendruar në “çfarë mund të kishte qenë”, humbasim atë që është – momentin e tanishëm dhe potencialin për rritje.

Riformulimi i mendimeve “po sikur”
Një nga gjërat më të fuqishme që mund të bëni pas një ndarje është të riformuloni mendimet tuaja. Në vend që të pyesni veten: “Po sikur të kisha bërë gjërat ndryshe?” ndryshojeni atë me: “Çfarë mund të mësoj nga kjo?”. Ndryshimi i mënyrës së të menduarit nga pendimi në reflektim ju fuqizon të rriteni nga përvoja, në vend që të përcaktoheni prej saj. Duke u përqendruar në atë që mund të merrni nga marrëdhënia, e transformoni përvojën nga një humbje në një mundësi për rritje.
Si të filloni të liroheni nga këto mendime?
Kjo fillon me veprime të vogla dhe të qëllimshme. Krijoni një rutinë ditore të përqendrimit, ku i riktheni butësisht mendimet nga e kaluara tek e tashmja. Përqendrohuni në atë për të cilën jeni mirënjohës sot dhe kujtojini vetes se fundi i një marrëdhënieje nuk përcakton vlerën tuaj.
