Është publikuar në fletoren zyrtare Akti Normativ me rregullat e reja më të ashpra për të gjithë ata që bëjnë ndërtime pa leje, ose shtesa pa leje nëpër ndërtesa. Vendimi i qeverisë me fuqinë e ligjit që ndryshon ligjin “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, parashikon konfiskim të objekteve që anë tejkalim të lejes mbi masën 10% të sipërfaqes totale ndërtimore.
“1. Tek të gjitha objektet, në të cilat konstatohen punime pa leje apo në tejkalim të lejes mbi masën 2% të sipërfaqes totale ndërtimore mbi dhe nën tokë, dhe për shkak të qëndrueshmërisë së objektit është e pamundur prishja e tij, konfiskohen për interes publik apo strehim social punimet e kryera pa leje për qëllime fitimi, ose një sipërfaqe ekuivalente me to, brenda objektit, e cila të jetë hapësirë e shfrytëzueshme.
- Tek të gjitha objektet, në të cilat konstatohen punime pa leje apo në tejkalim të lejes për qëllime fitimi, mbi masën 10% të sipërfaqes totale ndërtimore mbi dhe nën tokë, konfiskohet, për 5 interes publik apo strehim social, i gjithë objekti apo vendoset prishja e plotë e tij nga organet përgjegjëse.
- Konfiskimi kryhet me propozim të IKMT-së dhe me miratim të KKTU-së.
- Rregullat, procedurat dhe mënyrat përkatëse për prishjen apo konfiskimin për interes publik apo strehim social miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”, thuhet në neni 40/1 të parashikuar në akt normativ.
Po ashtu në aktin normativ parashikohet ngritja e ‘Listës së Zezë’ me biznese dhe individë që shkelin detyrimet ligjore në fushën e ndërtimit.
“Lista e zezë” është regjistri i të gjithë zhvilluesve, shoqëri ose individë, që shkelin parashikimet ligjore të zhvillimit të territorit, kontrollit dhe disiplinimit të punimeve të ndërtimit, të cilët përjashtohen nga e drejta për të përfituar leje, sipas përcaktimeve të këtij ligji, për një periudhë 5-vjeçare”, thuhet në aktin normativ.
Në nenin 15 të këtij akti normativ është parashikuar edhe pezullim i lejes së ndërtimit nëse nuk nisin punimet brenda 1 viti nga marrja e lejes, ndërsa kur punimet nuk mbarojnë në afat vendos Këshilli i Ministrave nëse objekti do konfiskohet apo shembet.
“Në rast se punimet nuk kanë filluar brenda 1 viti nga data e miratimit të lejes së ndërtimit, atëherë leja konsiderohet e pavlefshme. Për punimet e filluara dhe të papërfunduara, për të cilat ka përfunduar afati i lejes së ndërtimit prej më shumë se 5 vjetësh dhe nuk është kërkuar shtyrja e afatit, sipas procedurave ligjore në fuqi pranë autoriteteve përgjegjëse, Këshilli i Ministrave miraton procedurën mbi mënyrën e përfundimit të punimeve, prishjen apo konfiskimin e ndërtimit”, thuhet në akt.
Një tjetër masë e parashikuar në këtë akt normativ ka të bëjë me gjobitjen për metër/katror të subjekteve që bëjnë ndërtime pa leje parashikuar në nenin 23 të aktit normativ.
“Kryerja e punimeve pa leje dënohet me gjobë të barabartë me vlerën e punimeve të kryera pa leje, sipas preventivit përkatës të depozituar pranë autoriteteve përgjegjëse, por, në çdo rast, jo më pak se 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) lekë për metër katror”, thuhet në akt.
Përveç gjobave për ndërtimet pa leje, për mos deklarim të punimeve apo për tejkalim të lejes ndërtimore, një tjetër faturë që do paguajnë ata që shkelin ligjin janë shpenzimet kur ndërtimet shemben.
“Shpenzimet e prishjes dhe të pastrimit të inerteve mbulohen nga subjekti zhvillues sipas faturës së prishjes e të pastrimit të inerteve nga organet shtetërore. Fatura e lëshuar sipas parashikimeve të kësaj pike përbën titull ekzekutiv dhe në rast mospagimi vullnetar ekzekutohet me bllokimin e llogarive bankare të subjektit zhvillues”, theksohet në aktin normativ.
Ashpërsimi i masave ndaj ndërtimeve pa leje u paralajmëruan më 3 tetor nga kryeministri Edi Rama, e që sipas tij synojnë të disiplinojnë ndërtimet në vend.