Publiku përjashtohet përkohësisht nga seanca ndaj të akuzuarve për spiunazh Shabani e Qerimi

nga D. V.

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, trupi gjykues ka vendosur që përkohësisht të përjashtojë publikun nga seanca ndaj të akuzuarve për spiunazh në shërbim të BIA-s serbe, Muharrem Qerimi dhe Bedri Shabani, pasi mbrojtja ka kërkuar që çështja të trajtohet pa praninë e publikut për arsye humane dhe shëndetësore të të akuzuarit Shabani, raporton Ekonomia Online.

Gjykata ndërkohë është në pritje të raportit me shkrim nga Qendra e Paraburgimit në Gjilan për gjendjen e tij shëndetësore.

Kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, tha se gjykata ka kërkuar menjëherë sqarime nga qendra e paraburgimit në Gjilan lidhur me gjendjen shëndetësore të të akuzuarit.

“Gjykata ka kontaktuar me qendrën e paraburgimit në Gjilan, ku përmes emailit ka kërkuar sqarime në lidhje me gjendjen shëndetësore të të akuzuarit Bedri Shabani. Menjëherë nga doktori i kësaj qendre, Nagdheim Rexhepi, kemi marrë përgjigjen se i pandehuri Bedri Shabani me datë 11.11.2025 është lajmëruar për konsultë te mjeku i burgut, ku edhe është vizituar me pretendimet si në ankesën e tij. Po ashtu, të njëjtit i është rekomanduar terapi dhe konsultë te specialistët përkatës”, tha kryetari Beqiri.

Ai shtoi se për shkak se përgjigjja ishte e mangët, gjykata ka kontaktuar përsëri me Qendrën e Paraburgimit nëpërmjet telefonit për të sqaruar nëse i akuzuari është vizituar konkretisht edhe sot nga mjeku.

“Edhe sot i akuzuari Bedri Shabani është vizituar te mjeku i burgut dhe se parametrit vital kanë qenë në vlera normale. Megjithatë, gjykata ka kërkuar që kjo përgjigje të ofrohet edhe me shkrim dhe jemi në pritje të saj për ta dokumentuar”, tha ai.

I akuzuari Bedri Shabani deklaroi para trupit gjykues se nuk është në gjendje për të vazhduar seancën.

“Kam shqetësime të shumta, në mënyrë humane të shtyhet kjo seancë. Për shkak të terapisë së rëndë kërkoj që të shtyhet. Besoj që në seanca tjera të jem më mirë. Nuk kam nevojë të më sjellin doktor, edhe ambulancën. Terapinë e kam marrë”, tha Shabani.

Mbrojtësi i tij, avokati Besnik Berisha, kërkoi që kjo pjesë e seancës të zhvillohet pa praninë e publikut.

“Me qenë që është natyrë humane, kërkoj që kjo seancë të trajtohet pa publicitet”, tha ai.

Ndërkaq, prokurori i çështjes, Bekim Korraliu, tha se nuk sheh arsye për përjashtimin e publikut, por se mbështet respektimin e të drejtës për trajtim mjekësor.

“Nuk po kuptoj për çfarë arsye të përjashtohet publiku. Ne jemi jurista, nuk jemi mjekë. Me gjithë atë, konsideroj që duhet respektuar e drejta e trajtimit mjekësor, por mendoj që nuk duhet të hyjmë në këtë fazë në elaborimin e problemeve shëndetësore që ka pacienti, pasi jemi në pritje të raportit. E lë në diskrecionin e gjykatës për përjashtim të publikut”, tha ai.

Pas konsultimeve, trupi gjykues mori vendim që të miratojë kërkesën e mbrojtjes për përjashtimin e përkohshëm të publikut nga salla, vetëm gjatë diskutimit për gjendjen shëndetësore të të akuzuarit.

“Trupi gjykues, lidhur me kërkesën, pas konsultimit merr aktvendim – aprovohet kërkesa e mbrojtësit Besnik Berisha, ashtu që përjashtohet përkohësisht publiku nga kjo çështje penale vetëm sa i përket pjesës ku do të deklarohet lidhur me gjendjen shëndetësore të mbrojtësit të tij. Urdhërohet largimi nga salla i të gjithë personave që nuk janë të domosdoshëm në këtë procedurë”, tha kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More