Shqipëria është tashmë anëtare e plotë e SEPA-s (Zonës së Pagesave të Vetme në Euro) dhe shqiptarët do të paguajnë komisione të njëjta me transfertat brenda vendit.
Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot këtë marrëveshje, ndërsa u shpreh se “rruga drejt anëtarësimit dhe suksesi në negociata, sjellin një lajm shumë të mirë”.
Rama theksoi se nga sot, 7 tetor, qytetarët dhe bizneset shqiptare mund të kryejnë transferta në euro me vendet e BE-së me komisione shumë më të ulëta dhe me të njëjtat rregulla si në BE.
Kryeministri bëri të ditur se sipas vlerësimit të Bankës së Shqipërisë, vetëm vitin e parë parashikohet një kursim prej rreth 20 milionë euro në vit për qytetarët dhe bizneset shqiptare.
SEPA është një sistem që bashkon vendet europiane për të bërë pagesat në euro më të thjeshta. Ai mundëson që transferimet e parave brenda Europës të funksionojnë si pagesat brenda të njëjtit shtet.
Nga 7 tetori shqiptarët do të përfitojnë transferim më të shpejtë të parave jashtë Shqipërisë, si dhe komisione më të ulëta drejt 40 shteteve të tjera pjesë e SEPA-s.
Komisionet do të zbresin në nivelin 1 deri në 3 euro, kjo për 100 apo 500 euro që do të transferohen.
Deri më sot për të dërguar 100 euro përmes bankës apo zyrave të transfertave, marrësi merrte vetëm 88-90 euro dhe bankat mbanin 10% komision.
Marrëveshje SEPA prek 41 shtete, të gjitha vendet e BE-së përfshirë Zvicrën, Britaninë e Madhe, Monakon, Andorrën dhe Vatikanin.